Protesta kombëtare për drejtësi për Arlinda Zekajn
Qytetarët e Prishtinës janë mbledhur në sheshin "Zahir Pajaziti" për të kërkuar drejtësi për viktimën Arlinda Zekaj dhe masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave.

Në Prishtinë po mbahet protesta kombëtare pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, ku autori i krimit është kunati i saj, Albert Sylaj. Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, po mbahet me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, për të kërkuar drejtësi për viktimën dhe masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave. Me qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku po kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn dhe reagim institucional ndaj rasteve të dhunës me bazë gjinore. Pjesëmarrësit në protestën po kërkojnë që vrasjet e grave të mos trajtohen si raste të izoluara, por si një problem serioz shoqëror që kërkon përgjegjësi institucionale dhe veprim të menjëhershëm. Rasti ka rikthyer në vëmendje kërkesat për drejtësi dhe nevojën për masa më efektive në parandalimin e vrasjeve të grave në Kosovë.