Vëllezërit milionerë të dënohen me burg për përdhunimet dhe abuzimet seksuale
Tre vëllezërit milionerë, Tal, Oren dhe Alon Alexander, janë dënuar me 30 vite burg secili për përfshirjen në një skemë abuzimi seksual, gjatë së cilës droguan dhe përdhunuan dhjetëra gra përgjatë disa dekadave.

Tre vëllezërit Alexander, dy prej të cilëve manjatë të pasurive të paluajtshme, janë dënuar me nga 30 vite burg secili për përfshirjen në një skemë abuzimi seksual, gjatë së cilës droguan dhe përdhunuan dhjetëra gra përgjatë disa dekadave.
Gjyqtara Valerie Caproni deklaroi se veprimet e tyre ishin "monstruoze" dhe krimet e tyre kishin shkatërruar jetët e viktimave. 12 viktima dëshmuan përpara gjykatës, duke rrëfyer traumën psikologjike të përjetuar pas abuzimeve dhe kërkuan që turpi që kishin mbajtur për vite me radhë të binte mbi autorët e krimeve.
Vëllezërit Alexander u shpallën fajtorë në mars, pasi akuzoheshin se përdornin pasurinë dhe statusin e tyre shoqëror për të joshur gra në festa dhe banesa luksoze, ku më pas i sulmonin seksualisht. Prokurorja Elizabeth Espinosa kërkoi dënimin maksimal për tre vëllezërit, duke theksuar se provat paraqisnin një tablo shkatërruese të abuzimeve të kryera ndër vite.
Gjatë dëshmive të grave, tre vëllezërit shfaqën pak emocione, duke qëndruar me vështrimin përpara ose duke biseduar me avokatët e tyre. Mbrojtja tha se u kishte këshilluar klientëve të mos i shikonin viktimat, për të shmangur keqinterpretimet e sjelljes së tyre. Avokatët kërkuan dënime prej 15 vitesh burg, duke argumentuar se klientët e tyre ishin bërë baballarë të përkushtuar dhe se mungesa e tyre do të dëmtonte familjet.
Në përfundim të seancës, gjykata i dënoi secilin me 30 vite burg për disa nga veprat penale dhe me 20 vite të tjera për vepra shtesë. Megjithatë, dënimet do të vuajnë njëkohësisht, çka do të thotë se dënimi efektiv i secilit mbetet 30 vite burg.