Macklemore nis turneun "Free Palestine" në Irlandë, pas largimit nga turneu i Ed Sheeran
Reperi amerikan Macklemore ka nisur turneun "Free Palestine" në Irlandë, pas largimit nga turneu i Ed Sheeran për shkak të deklaratave të mbështetjes për Palestinë dhe banorët e Gazës.

Reperi amerikan Macklemore ka nisur të hënën në Dublin të Irlandës turneun “Free Palestine”. Polemikat vijnë pas largimit nga turneu i Ed Sheeran për shkak të deklaratave të mbështetjes për Palestinë dhe banorët e Gazës.
Koncerti në 3Arena u zhvillua para një salle të mbushur plot, me rreth 13 mijë të pranishëm. Në skenë iu bashkuan këngëtari Hozier, grupi Kneecap, Beoga dhe këngëtaja palestineze Lina Makoul. Aktori Mark Ruffalo u shfaq përmes një videoje, duke bërë thirrje: “Vazhdoni të luftoni për një Palestinë të lirë dhe për njerëzimin kudo në botë”.
Gjatë koncertit, Macklemore foli për polemikat e javëve të fundit dhe largimin nga turneu i Sheeran, pas deklaratave të tij në koncertet e 5 dhe 6 shtatorit në Nju Xhersi.
“Gjashtë javë më parë, gjithçka nisi me dy fjalë”, tha Macklemore. “Dy fjalë mjaftuan. Fjalë të rrenjosura në dashuri dhe çlirim. Unë thashë: Palestinë e lirë! E njëjtë gjë që deshiroj për të gjithë ne: liri, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar pa frikë.”
Fituesi i katër çmimeve Grammy argumentoi se disa njerëz e konsiderojnë këto slogan kërcënues dhe preferojnë ta heshtin, në vend që të përballojnë me kuptimin e tij. Ai tha se përmes turneut synon të u japë njerëzve një hapësirë për të bashkuar zërat dhe për të ndarë dhimbjen e tyre.
Të gjitha të ardhurat nga koncertet, sipas Macklemore, do të shkojnë për organizatat që mbështesin popullin palestinez. Turneu do të vijojë të enjten në Paris dhe të premten në Londër.
Macklemore pretendoi se Sheeran ishte nën presion nga Robert Kraft, pronari i New England Patriots, për ta larguar për shkak të qëndrimeve të tij. Sheeran, nga ana tjetër, deklaroi se vendimi ishte marë nga organizatori i turneut dhe jo prej tij, duke shtuar se kishte tentuar të ndërtojë një urë komunikimi mes palëve.