Arrestohet personi i dyshuar për vrasjen e Denaldo Maxhallakut në Itali
Një person është arrestuar në Itali si person i dyshuar për vrasjen e 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku, i cili u gjet i pajetë në një pusëtë për kullimin e ujërave.

Një person është arrestuar në Itali si person i dyshuar për vrasjen e 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku, i cili u gjet i pajetë në një pusëtë për kullimin e ujërave në zonën Felloniche të Longianos. Autoritetet italiane kanë konfirmuar arrestimin gjatë mbrëmjes, disa orë pas zbulimit të trupit. Deri tani nuk është bërë publik identiteti i tij dhe as motivi i dyshuar i krimit.
Nga kërkimet paraprake rezulton se autorët e kishin qëlluar viktimën disa herë me armë zjarri nga një distancë afërt. Hetuesit dyshojnë se trupi kishte qëndruar brenda pusëtës për disa ditësh. Banorët e zonës njoftuan shërbimet e emergjencës pasi vunë re trupin në kanalin e kullimit. Në vendngjarje mbërritën karabinierët, zjarrfikësit dhe ekspertët e kriminalistikës. Zjarrfikësit nxorën trupin nga pusëta, ndërsa hetuesit rrethuan zonën dhe nisën mbledhjen e provave.
Denaldo Maxhallaku jetonte në Gatteo, punonte si bojaxhi dhe, sipas raportimeve të mediave italiane, nuk kishte precedentë penalë. Ai ishte i martuar dhe babai i një fëmije pak më shumë se një vjeç. Familjarët kishin humbur kontaktet me 31-vjeçarin më 7 tetor. Sipas informacioneve të publikuara, ai ishte larguar nga banesa për t'u takuar me një të njohur, por nuk ishte kthyer më. Më 8 tetor, autoritetet gjetën automjetin e tij të shkrumbuar nga flakët në afërsi të zonës ku, rreth 20 ditë më vonë, u zbulua trupi i pajetë.
Gjatë kërkimit të vendngjarjes, karabinierët gjetën disa gëzhoja pranë pusëtës, të cilat mund të ndihmojnë në rindërtimin e dinamikës së vrasjes. Hetuesit kanë marrë në pyetje familjarët dhe banorët e zonës, si dhe kanë shqyrtuar pamjet e kamerave të sigurisë për të përcaktuar lëvizjet e fundit të viktimës.
Arrestimi i një personi të dyshuar shënon një zhvillim në hetime, ndërsa autoritetet italiane vijojnë punën për të sqaruar rrethanat dhe motivin e vrasjes.