Cristiano Ronaldo fiton çmimin B.O.A.T. për edicionin më të mirë të Topit të Artë në histori
Cristiano Ronaldo është zgjedhur si fitues i çmimit B.O.A.T. për edicionin më të mirë të Topit të Artë në histori, për sezonin 2008, duke lënë pas Lionel Messin.

Sezoni i 2008 i Cristiano Ronaldo është zgjedhur si fitues i çmimit të ri B.O.A.T. (Greatest Ballon d’Or of All Time), të krijuar nga revista franceze France Football për të vlerësuar edicionin më të mirë të Topit të Artë në histori. Ronaldo triumfoi në votimin e lexuesve, duke lënë pas Lionel Messin e vitit 2012. Sezoni i 2008 ishte një nga kulmet e parë të karrierës së Ronaldo në Manchester United, ku shënoi 42 gola në 49 paraqitje dhe fitoi dy trofe madhorë. Ai shënoi 31 gola në Premier League dhe tetë herë në Ligën e Kampionëve, duke përfunduar si golashënuesi më i mirë i garës. Paraqitjet e tij ishin vendimtare për sukseset e skuadrës së drejtuar nga Sir Alex Ferguson. Manchester Unitedi e fitoi Premier League-n me 87 pikë dhe Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Chelsea në finalen e Ligës së Kampionëve. Ronaldo shënoi golin e vetëm të Unitedit në finalen e Ligës së Kampionëve dhe humbi penalltinë e tij në serinë vendimtare. Dominimi i tij u reflektua edhe në votimin për Topin e Artë të vitit 2008, ku Ronaldo grumbulloi 446 pikë dhe u rendit i pari në 77 nga 96 fletëvotimet e gazetarëve. Përveç Topit të Artë, Ronaldo fitoi edhe çmime të tjera individuale për sezonin e jashtëzakonshëm. Në moshën 23-vjeçare, ai e kishte vendosur tashmë veten në mesin e futbollistëve më të mirë të planetit.