Partizani humbet në Elbasan dhe Skënderbeu dhe Laçi ndajnë pikët në Abissnet Superiore
Partizani nuk arrin të dalë nga kriza e rezultateve dhe humbet në Elbasan, ndërsa Skënderbeu dhe Laçi barazojnë në Abissnet Superiore.

Partizani nuk arrin të dalë nga kriza e rezultateve dhe humbet në Elbasan. Të kuqët kanë pësuar një tjetër humbje, këtë herë përballë Elbasanit, që përmbyset rezultatin nga 0-1 në 2-1 në minutat e fundit të ndeshjes në "Elbasan Arena".
Skuadra kryeqytetase nisi mirë takimin dhe kaloi në avantazh që në minutën e 16-të. Pas një goditjeje dënim, Jovićić shfrytëzon harkimin në zonën dhe me kokë mposht portierin Aleksovski.
Partizani e ruajti eprësinë për më shumë se një orë, por nuk arriti ta mbyllte ndeshjen, megjithëse krijoi mundësi për golin e dytë. Elbasani shtoi presionin në pjesën e dytë dhe në minutën e 82-të gjeti barazimin me Mazarin, goditja e të cilit nga jashtë zonës u devijua nga Pasagiç dhe përfundoi në rrjetë.
Gjashtë minuta më vonë erdhi edhe momenti që vendosi ndeshjen. Nikaj shënoin pas një pasimi mbrapa të Markut, por arbitrat fillimisht e anuluan golin për pozicion jashtë loje.
Pas verifikimit me VAR, ku u shqyrtua edhe një ndërhyrje e pretenduar ndaj portierit Qirko, arbitri Çelaj e konsideroi golin të rregullt. Vendimi i dha Elbasanit avantazhin 2-1 dhe shkaktoi polemikë në fundin e takimit.
Partizani nuk arriti të reagonte dhe regjistroi një tjetër humbje që e mban në vendin e fundit të klasifikimit. Për Elbasanin, përmbyshja solli tri pikë, ndërsa për të kuqtë shtoi problemet e një sezoni me rezultate negative.
Ndërkohë, në takimin tjetër të javës së tetë të Abissnet Superiore, Skënderbeu dhe Laçi ndanë nga një pikë pas barazimit 1-1 në Korçë.
Skuadra e drejtuar nga Juljan Ahmataj kaloi në avantazh në minutën e 27-të me Lagonidis, pasi vendasit kontrolluan pjesën më të madhe të lojës në fraksionin e parë.
Në pjesën e dytë, Laçi mori iniciativën dhe barazoi në minutën e 66-të me Traore. Kurbinasit krijuan edhe mundësi për golin e fitores, por nuk arritën të përmbyshnin rezultatin.
Pas tetë javësh, Laçi renditet në vendin e pestë me 11 pikë, ndërsa Skënderbeu mban vendin e shtatë me 10 pikë.