Politikanët dhe profesorët e plagjiaturës në Shqipëri
Studentët shqiptarë luftuan për transparencën në vitin 2018, por sistemi nuk u reformua. Sot, Shqipëria ka 40 institucione të arsimit të lartë, por diploma që mbajnë në dorë studentët shqiptarë u ofron mundësi të kufizuara në tregun e punës dhe në BE.

Në Shqipëri, operojnë 40 institucione të arsimit të lartë, nga të cilat 14 janë publike dhe 26 private. Ky numër i lartë i universiteteve është një nga të dhënat që rendisin Shqipërinë mes shteteve me numrin më të lartë të universiteteve. Ministria e Arsimit në dokumentin e Politikave të Arsimit të Lartë 2026-2030 pranon se Shqipëria ka 15 universitete për 1 milion banorë, një normë që është dyfishi i BE-së, që numëron 7 universitete për 1 milion banorë.
Aktualisht Shqipëria ka rreth 900 studentë për 100,000 banorë, ndërkohë që raporti i regjistrimit të nxënësve në arsimin e lartë është 58.8%. Sot, rreth 50,000 studentë mbështeten me bursa. Në vitin 2022-2023, personeli akademik përbëhej nga 4,844 pedagogë, afërisht një pedagog për 28 studentë.
Studentët shqiptarë kanë artikuluar se cilësia e dobët e sistemit arsimor është një ndër arsyet madhore që kanë dalë në protestë. Kjo protestë nuk lindi nga hiçi, por vjen si akumulim i shqetësimit duke i mashtruar me kushte të mira dhe laboratorë dhe asgjë nuk është bërë. Studentët tanë detyrohen të emigrojnë për një diplomë të vlefshme kudo në botë, dhe pasi mbarojnë studimet këtu nuk e kanë fare të lehtë të gjejnë punë.
Në vitin 2018, studentët përmbytën Tiranën në protesta, por asokohe u arrit Pakti për Universitetin. Një ndër premtimet më të bujshme të Paktit për Universitetin ishte verifikimi i titujve akademikë dhe lufta kundër plagjiaturës. 8 vite më pas, premtimi mbetet në thelb i parealizuar.
Problemi nuk është vetëm te studentët, por edhe te vetë njerëzit e sistemit. Ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka deklaruar se në vitin 2020 kandidatët për rektorë kanë refuzuar të verifikojnë punimet e tyre përmes platformës anti-plagjiaturë. Kjo do të thotë se disa universitete publike, ka të ngjarë të drejtohen sot nga rektorë me tituj të marrë përmes punimeve të vjedhura. Por, Shahini nuk dha emra asokohe.
Studiuesi Taulant Muka ka denoncuar vazhdimisht dyshime për plagjiaturë nga zëvendësministri i atëhershëm i Arsimit, Ervin Demo, ish-ministrja e Arsimit Evis Kushi, ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirlliu, dekanë e rektorë të universiteteve publike duke thënë se denoncimi nuk lidhej me një emër, por me fenomenin. Këtu, nuk duhen harruar edhe një numër i madh politikanësh që janë zbuluar edhe në investigime të mëhershme nga Inside Story.
“Plagjiatura për marrjen e gradave shkencore apo titujve shkencorë, është vjedhje, falsifikim dhe mashtrim. Në çdo universitet të botës që ti kapesh me plagjiaturë merren masa, kryesisht largim nga punës. Këta kopjacët krijojnë rregulla dhe tallen me studentët që kapen duke kopjuar”, u shpreh Taulant Muka, kërkues shkencor.
“Ervin Demo është bërë ministër i Brendshëm, Taulant Balla, Evis Kushi, pra të gjithë këta që janë kapur në hajdutëri intelektuara janë lartësuar në pushtet.
Sipas paktit të Universitet, do të ngrihej një portal që do të verifikonte çdo punim të profesorëve, por kjo nuk ka ndodhur. Deri më sot asnjë plagjiaturë nuk është verifikuar dhe asnjë masë nuk është marrë megjithëse denoncimet janë publike”, u shpreh Taulant Muka.
“Po të shikosh rregulloren e Ut është vësh duart në kokë. Nëse kapesh me plagjiaturë je i degraduar dhe jo vetëm studenti, por edhe profesori që e ka mësuar plagjiaturën”, u shpreh Taulant Muka.