Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, del nga spitali pas kolapsit gjatë stërvitjes
Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka dalë nga spitali pas kolapsit që pësoi gjatë një seance stërvitore. Mjekët kanë identifikuar si shkak i incidentit një irritim të meningjëve.

Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka dalë nga spitali ku ishte shtruar pas kolapsit që pësoi gjatë një seance stërvitore. Mjekët kanë identifikuar si shkak i incidentit një irritim të meningjëve, ndërsa klubi gjerman ka konfirmuar se trajneri do të vazhdojë rikuperimin në shtëpi.
Drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, ka deklaruar se Kompany është lejuar të kthehet në shtëpi për të vazhduar rikuperimin, por nuk do të rikthehet menjëherë në aktivitetin e përditshëm. "Tani Kompany është lejuar të kthehet në shtëpi për të vazhduar rikuperimin. Për të, kjo do të thotë pushim dhe trajtim mjekësor. Jam shumë, shumë i sigurt se ai do të rikthehet shpejti në 100% të formës së tij", ka thënë Eberl.
Eberl ka theksuar gjithashtu se Bayerni nuk do të ushtrojë presion mbi trajnerin për një rikthim të parakohshëm. "Ai do të ketë në dispozicion gjithë kohën që i nevojitet. Këtë e kemi thënë në fillim. Pikërisht për këtë arsye kam folur në momentet e para për një periudhë rikuperimi prej disa javësh", ka përfunduar Eberl.
Bayern Munich nuk ka përcaktuar ende një datë për rikthimin e Kompany në stërvitje. Sipas deklaratave të Eberl, trajneri belg do të qëndrojë jashtë aktivitetit derisa të përfundojë trajtimin dhe rikuperimin shëndetësor.