Veliaji në zonën e observimit në burgun e Fierit, Anila Hoxha: Kjo është një procedurë e zakonshme
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në burgun e Fierit për 10 ditë në zonën e observimit, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë. Gazetarja Anila Hoxha thotë se ende nuk ka një njoftim zyrtar për arsyet e transferimit, por se rregullorja parashikon transferimet për arsye kur paraqet rrezikshmëri për jetën e tij.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, tha në “Top Stroy”, se ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Burgjeve për arsyet e transferimit të Veliajit në burgun e Fierit. Ajo tha se rregullorja parashikon transferimet nga një burg në tjetrin për arsye kur paraqet rrezikshmëri për jetën e tij, kur ka konflikte fizike apo kërcënime me të burgosur të tjerë, kur ka mbipopullim në burgje, për arsye gjykimi ose hetimi, si dhe kur paraqiten rrethana të tjera që lidhen me rrezikshmërinë.
Ky zhvillim vjen pak orë pasi Gjykata e Lartë mori një vendim lidhur me kallëzimin e Veliajit për kërkesën për hetimin e personit që qëndron pas adresuesit anonim Nesti Angoni.
“Nuk ka ende një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Burgjeve për të mësuar shkaqet se përse Veliaj u transferua në burgun e Fierit.
Ajo që mësohet nga burime të sigurta nga burgu i Fierit është se, për 10 ditë, ai do të qëndrojë në zonën e observimit, deri në momentin kur të kuptohet nëse ka konflikte me persona të caktuar në burgun e Fierit. Kjo është një procedurë që do të ndiqet edhe për tre shtetas të tjerë, një i dënuar për aksident me vdekje, dy për falsifikim dokumentesh.
Gjatë kësaj periudhe do të vendoset se në cilën qeli do të qëndrojë dhe me cilët të paraburgosur do të ndajë qelinë.
Është në fuqi një rregullore për transferimet e të burgosurve, përfshirë rastet kur ata largohen nga qelitë në mënyrë të beftë. Kjo rregullore parashikon se një i burgosur transferohet kur paraqet rrezikshmëri për jetën e tij, kur ka konflikte fizike apo kërcënime me të burgosur të tjerë, kur ka mbipopullim në burgje, për arsye gjykimi ose hetimi, si dhe kur paraqiten rrethana të tjera që lidhen me rrezikshmërinë.
Largimi i tij nga burgu i Durrësit drejt atij të Fierit ndodhi pak orë pasi Gjykata e Lartë dha një vendim, një çerek fitore për Veliajnt. Gjykata i dha zgjidhje një kallëzimi të tij, përmes të cilit kishte kërkuar hetime për personin që qëndron pas adresuesit anonim Nesti Angoni”, tha gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.