OKB voton kundër embargos amerikane ndaj Kubës, Shqipëria abstenon!
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën që kërkon heqjen e embargos amerikane ndaj Kubës, ndërsa Shqipëria ka votuar abstenim.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën që kërkon heqjen e embargos amerikane ndaj Kubës, e cila ka qenë në fuqi për 64 vjet. Votimi përfundoi me 130 vota pro, 17 kundër dhe 25 abstenime, duke konfirmuar mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare për heqjen e kufizimeve ekonomike, tregtare dhe financiare ndaj ishullit.
Shqipëria, e përfaqësuar nga ambasadorja Suela Janinaj, ka votuar abstenim gjatë votimit, duke e pozicionuar Tiranën mes shteteve që nuk votuan as në favor dhe as kundër dokumentit. Abstenimi i Shqipërisë vjen në një votim ku disa vende perëndimore, përfshirë Gjermaninë dhe Italinë, kanë ndryshuar qëndrimin e tyre më parëshëm, duke zgjedhur gjithashtu abstenimin pas shumë vitesh mbështetjeje për rezolutën.
Pavarësisht miratimit me shumicë votash, rezoluta nuk sjell automatikisht heqjen e embargos. Vendimet e Asamblesë së Përgjithshme kanë peshe politike dhe diplomatike, por nuk janë detyruese për ndryshimin e legjislacionit amerikan. Vetëm Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka kompetencën për të hequr plotësisht embargon, e cila daton nga periudha e Luftës së Ftohtë.
Asambleja e Përgjithshme, me 193 shtete anëtare, e ka miratuar rezolutën kundër embargos pothuajse çdo vit për më shumë se tri dekada. Përjashtim bëri viti 2020, kur votimi nuk u zhvillua për shkak të pandemisë së COVID-19.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara e interpretuan ndryshimin e qëndrimit të disa vendeve si një zhvillim pozitiv për diplomacinë amerikane. I dërguari amerikan në OKB, Mike Waltz, përshëndeti faktin që disa shtete, përfshirë ekonomitë të renditshme si Gjermania dhe Korea e Jugut, kishin ndryshuar qëndrimin e tyre.
“Jam i kënaqur që kaq shumë vende, përfshirë ekonomitë të medha si Korea, Gjermania dhe të tjera, e kanë ndryshuar tashmë qëndrimin e tyre”, deklaroi Waltz pas votimit. Ai shtoi se diplomacia kërkon kohë dhe se Uashingtoni pret që numri i vendeve që ndryshojnë qëndrimin të vazhdojë të rritet.
Votimi u zhvillua në një atmosferë të tensioneve të larta diplomatike mes SHBA-së dhe Kubës. Gjatë javës së kaluar, përfaqësuesit e të dy vendeve janë përfshirë në përplasje verbale në Kombe të Bashkuara, ndërsa të martën tensionet u shoqëruan edhe me të bërëtira dhe shtyrje mes përfaqësuesve në sallën e Asamblesë së Përgjithshme.
Embargoja amerikane ndaj Kubës mbetet një nga masat më jetëgjata të politikës së jashtme të Uashingtonit. Havana e ka kundërshtuar vazhdimisht atë, duke argumentuar se kufizimet kanë shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për popullsinë kubane.
Për Shqipërinë, abstenimi përben një qëndrim diplomatik që e vendos vendin mes shteteve që nuk u bashkuan shumës në kërkesën për heqjen e embargos. Ndërkohë, rezultati i votimit tregon se, pavarësisht mbështetjes së gjerë ndërkombëtare për rezolutën, përplesha politike mes Uashingtonit dhe Havanes mbetet e pazgjidhur.