Këlliçi: Rama, autokrati i fundit me VKM për shantazhin e protestuesve
Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ndaj vendimeve të Këshillit të Ministrave, duke e quajtur Edi Ramën autokrati i fundit në rajon për shantazhin e protestuesve.

Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ndarë një reagim lidhur me vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave, që përfshinin edhe masa ndëshkimore për pjesëmarrësit në protesta të dhunshme. Në një postim në rrjetet e tij sociale, Këlliçi shprehet se kryeministri Edi Rama është autokrati i fundit në rajon ka nxjerrë një VKM ku zyrtarizon regjistrin me emrat dhe të dhënat e protestuesve që t’i shantazhojë ata me të gjitha format. Sipas demokratit, paketa si kjo përfundojnë në koshin e plehrave bashkë me ideatorët e tyre pasi studentët dhe të rinjtë, qytetarët, familjarët, demokratët, të majtë e të djathtë, nuk tërhiqen. Këlliçi thotë se Edi Rama ka në plan dhe të marrë penalitete ndaj tyre, si gjoba apo cënim të drejtash e lirish, nëse protestojnë kundër tij. Ai arriti deri aty sa t’i kërcënojë me izolim, me heqje të së drejtës themelore që është ajo e lëvizjes dhe qarkullimit, duke u thënë se do t’i bllokonte në kufi e nuk do t’i lejonte të dilnin jashtë vendit. Këlliçi thotë se janë hapat që hedhin gjithnjë diktatorët dhe sunduesit e korruptuar para fundit të tyre. Ata ndërmarrin paketa të tilla për të mbrojtur veten e tyre dhe për të shkurajuar rininë e qytetarët që kanë mbushur sheshet.