Trenat në Spanjë: Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit
Ekipet e shpëtimit po punojnë ende për të gjetur të mbijetuarit poshtë vagonëve të rrënuar pas përplasjes së dy trenave në Spanjë, që ka marrë 68 jetë.

Ekipet e shpëtimit po vijojnë punën nëpër vagonët e rrënuar me shpresën për të gjetur më shumë të mbijetuar nga aksidenti i dytë vdekjeprurës i trenave me shpejtësi të lartë në Spanjë këtë vit. Qeveria e Spanjës ka shpallur tre ditë zie kombëtare. Aksidenti ka rihapur një debat rreth sigurisë në hekurudhat e Spanjës, më të gjatat në Evropë dhe deri vonë një burim krenarie në vend. Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, tha të mërkurën se aksidenti ndodhi pasi disa trena u ndalën automatikisht për shkak të një defekti në sinjal. Një tren shtetëror Renfe u autorizua më pas të vazhdonte me shpejtësi normale edhe pese përpara kishte një tren të ndaluar të operuar nga Iryo. SEMAF, sindikata e makinistëve të trenave në Spanjë, tha se nuk donte të spekulonte mbi shkakun e aksidentit. “Ne dëshirojmë të tregojmë kujdes deri sa të kemi një kuptim të detajuar të asaj që ndodhi saktësisht, në mënyrë që të mos përfshihemi në spekulime”, tha SEMAF në një deklaratë të mërkurën vonë.