Tifozi i Newell’s Old Boys dënohet me 7 vite e gjysmë burg për kërcënime ndaj familjes së Di Marias
Tifozi i Newell’s Old Boys, Sergio Di Vanni, është dënuar me 7 vite e gjysmë burg për organizimin e akteve të frikësimit ndaj futbollistit argjentinas Angel Di Maria dhe familjes së tij në vitin 2024. Kërcënimet ishin të rënda dhe përfshinin të shtëna me armë dhe një mesazh makabër që përmendte vajzën e futbollistit.

Tifozi i Newell’s Old Boys, Sergio Di Vanni, është dënuar me 7 vite e gjysmë burg për organizimin e akteve të frikësimit ndaj futbollistit argjentinas Angel Di Maria dhe familjes së tij në vitin 2024. Kërcënimet ishin të rënda dhe përfshinin të shtëna me armë dhe një mesazh makabër që përmendte vajzën e futbollistit.
Sipas vendimit të gjykatës në Rosario, kërcënimet kishin si qëllim ta bindnin kampionin e botës me Argjentinën të mos rikthehej në vend për të luajtur me Rosario Central, klubin ku ishte formuar si futbollist. Në atë kohë, Di Maria aktivizohej te Benfica, por po shqyronte rikthimin në atdhe, që u realizua përfundimisht në vitin 2025.
Kërcënimet ishin veçanërisht të rënda. Në mars të vitit 2024, pranë zonës rezidenciale në Funes, ku futbollisti zotëron një banesë, u qellua me armë zjarri dhe u lanë mesazhe kërcënuese. Një tjetër episod ndodhi përpara agjencisë imobiliare të drejtuar nga motra e tij, ku u vendos një kokë derri me një plumb në ballë.
Mesazhi shoqërues përmbante një kërcënim drejtpërdrejtë ndaj vajzës së Di Marias, Pia, në rast se futbollisti do të rikthehej te Rosario Central. Ngjarja shkaktoi tronditje dhe e vendosi familjen përballë një situatë të frikshme.
Rosario Central dhe Newell’s Old Boys janë rivalët historikë të qytetit të Rosario-s, ku përplasjet mes grupeve të tifozëve kanë qenë prej kohësh një problem serioz. Sipas prokurorisë, akte të frikësimit lidhen edhe me luftën për pushtet brenda grupeve ultras të Newell’s.
Përveç Di Vannit, një grua 25-vjeçare e konsideruar bashkëpunëtare u dënua me tre vjet e gjysmë burg, pasi pranoi fajësinë. Një person i tretë është gjithashtu në paraburgim. Sipas akuzës, personat e përfshirë ishin paguar me katër milionë peso argjentinase, rreth 2,300 euro sipas vlerësimit të raportuar.
Për shkak të kërcënimeve, Di Maria kishte hezituar fillimisht të rikthehej në Argjentinë, duke vendosur sigurinë e familjes mbi dëshirën për të luajtur në vendlindje. Megjithatë, në vitin 2025 ai u kthye te Rosario Central dhe u bë një nga lojtarët kryesorë të skuadrës, e cila e mbylli vitin me titullin kampion.
Dënimi i Di Vanni-t shënon një zhvillim të rëndësishëm në çështjen që tronditi futbollin argjentinës dhe tregoi se deri ku mund të shkojë dhuna e lidhur me rivalitetin mes tifozëve.