Tensione në seancën plenare të Kuvendit, deputetët demokratë bllokojnë foltoren dhe godasin tavolinat
Deputetët e Partisë Demokratike kanë protestuar duke goditur tavolinat dhe duke bllokuar foltoren gjatë fjalës së kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë seancës plenare të Kuvendit.

Seanca plenare e sotme në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me tensione dhe përplasje verbale, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike kanë kundërshtuar zhvillimin e punimeve. Gjatë kohës që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po fliste nga foltorja, ligjvënësit demokratë kanë nisur të godasin tavolinat, duke shkaktuar zhurmë në sallën e Kuvendit.
Deputetët e opozitës kanë mbajtur gjithashtu pankarta në duar, ndërsa disa prej tyre janë afruar pranë foltores dhe kanë tentuar të bllokojnë vijimin e seancës. Pavarësisht zhurmës dhe protestës së deputetëve demokratë, Peleshi ka vazhduar të flasë, ndërsa opozita ka vazhduar kundërshtimin përmes goditjes së tavolinave.
Situata ka krijuar tensione që në minutat e para të seancës plenare, duke penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.