Dhoma Amerikane kundër paketit fiskal, shqetësim për rritjen e taksave për bizneset
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka shprehur shqetësimin e saj për ndryshimet e propozuara në Paketin Fiskal 2027, të cilat parashikojnë një rritje të konsiderueshme të taksave për bizneset dhe ndryshime në kushtet për bazën e të cilave sipërmarrjet kanë ndërtuar planet e tyre të aktivitetit, financimit dhe investimeve.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka shprehur shqetësimin e saj për ndryshimet e propozuara në Paketin Fiskal 2027, të cilat parashikojnë një rritje të konsiderueshme të taksave për bizneset dhe ndryshime në kushtet për bazën e të cilave sipërmarrjet kanë ndërtuar planet e tyre të aktivitetit, financimit dhe investimeve.
Lehtësimi i kostos së jetesës dhe mbështetja e qytetarëve, veçanërisht e familjeve me të ekspozuara ndaj rritjes së çmimeve, janë objektiva të rëndësishme. Megjithatë, arritja e tyre duhet të shkojë paralelisht me ruajtjen e një klimë të shëndetshme biznesi, nxitjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Për këto arsye, AmCham kundërshton që financimi i masave sociale të mbështetet në rritjen e barrës mbi bizneset që deklarojnë aktivitetin dhe përmblidhin rregullisht detyrimet tatimore, pa u shqyrtuar me parë alternativat e mundshme dhe efektet e ndërhyrjes.
Ndërkohë, Shqipëria vepron në një mjedis rajonal ku investitorët e huaj krahasojnë kushtet fiskale dhe parashikueshmërinë e mjedisit të biznesit në vende të ndryshme. Rritja e normave tatimore do të dobesojë më tepër pozitën tonë konkurruese. Një rënie e investimeve të huaja direkte (FDI) do të ngushtojë potencialin e ekonomisë dhe, si pasojë, do të sjellë efekte negative fiskale afatgjata. Duke pasur parasysh rrezikun që ndryshime të tillë do të dobësojnë konkurrueshmërinë e Shqipërisë si destinacion investimi në raport me vendet e tjera të rajonit, presim një vlerësim fiskal dukshëm më të thelluar në mbështetje të këtyre ndryshimeve kaq drastike.
Një shqetësim tjetër lidhet me ndikimin e ndryshimeve të propozuara mbi çmimet e konsumit. Ndërsa vendosja e normave të reduktuara të TVSH-së prej 6% për një kategori produkteve ushqimore bazë synon të lehtësojë koston e jetesës, rritja e normave standarde nga 20% në 21% dhe e disa normave të reduktuara nga 6% në 10% mund të sjellë rritje të çmimeve për një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh. Në masën që këto rritje transferohen te konsumatorët, shpenzimet shtesë të familjeve mund të zbehin ose të kompensojnë pjesërisht përfitimet e pritshme nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë. Për më tepër, ulja e normave të TVSH-së nuk garanton në vetvete që përfitimi do të reflektohet plotësisht në çmimet përfundimtare. Për këto arsye, AmCham kërkon një analizë të ndikimit neto të ndryshimeve mbi çmimet e konsumit, fuqinë blerëse dhe buxhetet familjare, si dhe sqarimin e mekanizmave të monitorimit për të vlerësuar nëse objektivat sociale të synuara do të arrihen realisht.