Populli nuk fyhet. Populli dëgjohet
Kryeministri i Shqipërisë, i cili u drejtua një pjesë të popullit me fjalët "sorra e korba", ngre pyetje të thelbësore: si mund të përfaqesohet një popull, ndërsa një pjesë e tij përcmohet pikërisht kur kërkon të dëgjohet?

Për tridhjetë e pesë vjet, demokracia shqiptare është gërrier nga brenda, si druri që e ka krimbi pa u vënë re, derisa dobetësia e strukturës bëhet e dukshme. Kemi ndërruar qeveri, koalicionet dhe slogane, por problemet e përfaqesimit dhe llogaridhënies vazhdojnë të na shoqërojnë. Partitë kanë ndryshuar emrat e kundërshtarëve, por jo gjithmonë mënyrën si ushtrojnë pushtetin. Kur karriera politike varet më shumë nga besnikëria ndaj kryetarit sesa nga përgjegjësia ndaj zgjedhësve, përfaqesimi humbet kuptimin e tij. Të votosh nuk duhet të nënkuptojë të heqesh dorë nga e drejta për të kërkuar llogari. Ndërkohë, Kuvendi vazhdon veprimtarinë e zakonshme, sikur shqetësimet e qytetarëve të mund të presin. Vendi ka nevojë për ligje, por veprimtaria parlamentare nuk mund të zëvendësojë zgjidhjen e krizës së përfaqesimit. Kur qytetarët kërkojnë ndryshim të rregullave, përgjigjja duhet të jetë një debat serioz dhe propozime konkrete, jo thjesht thirrje për qetësi. Nëse negociatat përqendrohen vetëm te largimi i një personi, pa prekur arsyet e pakënaqësisë, lind një pyetje e arsyeshme: çfarë do të zgjidhë kjo marrëveshje? A do të ndryshojë sistemi, apo do të ndërrohen fytyrat për të vazhduar me të njëjtat rregulla? Një marrëveshje që ndryshon vetëm emrat, pa ndryshuar mekanizmin, rrezikon ta shtojë krizën në vend që ta zgjidhë. Prandaj, rendësia nuk ka vetëm kush largohet, por çfarë garancish krijohen më pas: si sigurohen zgjedhje të besueshme, si forcohet përfaqesimi dhe si kufizohet përqendrimi i pushtetit. Çdo negociatë duhet të trajtojë thelbin e kërkesave, përndryshe rrezikon të kthehet në pazar politik, ku ndryshimi i një emri përdoret për të qetësuar pakënaqësinë, ndërsa shkaqet e saj mbeten të paprekura. Zgjidhja duhet të fillojë nga thelbi i problemave, jo nga pazaret për emrat. Nevojitet një proces serioz reformimi, me propozime konkrete, afate dhe garanci të verifikueshme për zgjedhje të ndershme, përfaqësim real dhe institucione që u përgjigjen qytetarëve. Dhuna nuk justifikohet, por as pakënaqësia nuk zhduket duke e etiketuar. Një shoqëri demokratike duhet të jetë në gjendje të dënojë aktet e dhunshme dhe, njëkohësisht, të dëgjojë kërkesat paqësore për ndryshim. Populli nuk kërkon një pronar të ri të pushtetit, por një sistem që nuk ka pronar. Nuk kërkon privilegje, por rregulla që zbatohen për të gjithë dhe institucione që nuk varen nga vullneti i individëve. Populli nuk fyhet. Populli dëgjohet. Sepse pushtetet ndërrohen, emrat harrohen, por mënyra si trajtohet populli mbetet prova e vërtetë e demokracisë.