Deputetët e PD i hedhin sende, Rama largohet nga salla pas votimit për Bankën e Shqipërisë
Deputetët e Partisë Demokratike (PD) kanë hedhur sende në drejtim të kryeministrit Edi Rama pas votimit për projektligjin për Bankën e Shqipërisë, ndërsa kryeministri është larguar nga salla e Kuvendit.

Gjatë seancës plenare të Kuvendit, deputetët e PD kanë hedhur sende në drejtim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa bllokuan foltoren dhe ndezën flakadane në sallën e Parlamentit. Tensionet u përshkalluan edhe pas përplasjeve verbale mes kryetarit të PD, Sali Berisha, dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Pas incidenteve, nga seanca u përjashtuan katër deputetë të PD: Blendi Himçiu, Ivi Kaso, Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati. Pavarësisht tensioneve dhe bllokimit të foltores nga opozita, Kuvendi vijoi me votimin e projektligjeve të rendit të ditës, pa zhvilluar diskutime.
Seanca e kësaj të enjteje u karakterizua nga përplasje të vazhdueshme mes palëve, ndërsa opozita kundërshtoi vijimin e punimeve parlamentare.