Koçeku akuza PS: 17 ligje kaluan pa debat, me shpejtësinë e erës
Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka kritikuar mazhorancën socialiste për mënyrën se si po shqyrtohen dhe miratohen projektligjet në Kuvend, duke akuzuar shumicën parlamentare se po i kalon ato me shpejtësi dhe pa zhvilluar debat të mirëfilltë parlamentar.

Përmes një videomesazhi të publikuar gjatë seancës plenare, Koçeku ngriti shqetësimin për trajtimin e 17 nismave ligjore, të cilat, sipas saj, po kalohen pa diskutime, pavarësisht rëndësisë që kanë për ekonomine dhe institucionet e vendit.
“17 ligje po kalohen pa debat, me shpejtësinë e erës, në lidhje me Bankën e Shqipërisë, me Këshillin Fiskal, me akcizat, me bujqësinë dhe me pasuritë e konfiskueme, po kalohen pa marrë aspak parasysh situatën e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet vendi yne këto ditë”, tha deputetja Marjana Koçeku.
Ajo vuri në pyetje ritmin e punimeve parlamentare, duke theksuar se projektligjet që prekin sektorë të rëndësishëm dhe funksionimin e institucioneve duhet të shoqërohen me diskutime dhe shqyrtim të plotë.
Deklarata e deputetes vjen në një seancë plenare ku në rendin e ditës janë përfshirë nisma që lidhen me sistemin bankar, krijimin e Këshillit Fiskal, akcizat dhe bujqësinë, çështje që kanë ndikim në politikat ekonomike dhe financat publike.