Mali i padukshëm: Një tokë e helmuar në periferi të Athinës
Mali i padukshëm i Fylit, një landfill i famëkeq në periferi të Athinës, është një monument i plogështisë kolektive dhe i dështimit institucional. Ai është një zonë e rrezikshme për shëndetin publik, ku mbetet e ndotur me metale të rënda dhe substanca toksike.

Sotirisi, një shofer i kamionit të plehrave, ka marrë pjesë në nxjerrjen e mbeturinave prej njëzet e pesë vitesh. Ai kujton mentorin e tij të asaj kohe, një shofer më i moshuar, i cili e kishte qetësuar duke i thënë: "Mos u shqetëso, do të zgjasë vetëm edhe një vit." Sotirisi e krahasoi udhën e kamionit të plehrave me një "kalvar të përditshëm".
Mbeturinat e prodhuara nga katër milionë banorët dhe tetë milionë vizitorët vjetorë të Athinës depozitohen në një zonë të fshehur pas një mali të ulët në periferi të qytetit. Landfilli i Fylit shtrihet në një sipërfaqe prej afro 300 fushash futbolli, një terren kodrash të valëzuara, të krijuara nga mbeturinat dhe dheu.
Qentë endacakë bredhin nëpër shpatet e mbuluara me mbeturina shumëngjyrëshe e të ngjeshura, duke lëpirë kanoçet dhe duke shqyer qeset plastike. Tufa pulëbardhash që klithin vërtiten lart në qiell. Era e kalbjes ndihet kudo. Pas mesditës, në shpate shfaqen grupe të vogla njerëzish, të cilët kërkojnë mes mbeturinave dhe shtyjnë karroca të ngarkuara me skrap.
Dikur, ata vazhdonin kërkimet edhe pas errësirës, duke punuar nën dritat e vendosura në helmetat e tyre. Megjithatë, që nga viti 2011, pas një aksidenti fatal, zona mbyllet me të rënë muzgu. Vetëm gjysmë ore larg me makinë, nga turistët që ngjiten në kodrën e Akropolit, landfilli është një monument i plogështisë kolektive dhe i dështimit institucional.
Atika Perëndimore, siç njihet kjo zonë më e gjerë, është një qendër e industrive të rënda, ku përfshihen rafineritë e naftës dhe kantieret e ndërtimit të anijeve. E karakterizuar nga varfëria dhe mungesat e theksuara, kjo zonë paraqitet shpesh në media si “Perëndimi i Egër” i kryeqytetit, një vend ku ligji nuk ka fuqi.
Për dekada me radhë, landfilli i Fylit ka ndotur ujërat nëntokësore me metale të rënda dhe substanca toksike. Sot, ai lëshon erë të rëndë dhe merr flakë gjatë verës, duke nxjerrë shtëllunga tymrash helmues. Si vendi i vetëm ku depozitohen mbeturinat e Atikës, landfilli gjeneron miliona të ardhura për pushtetin vendor dhe kontraktorët privatë.
Ndërsa për 50,000 banorët që e kanë bashkinë e Fylit shtëpi, menaxhimi i mbetjeve është shndërruar, njësoj si fabrikat dhe rafineritë, në një tjetër industri të rëndë në pragun e derës së tyre. “Mbetjet përfaqësojnë njëkohësisht vdekjen dhe pasurinë”, tha Christos Kourniotis, mësues i shkollës së mesme dhe anëtar i Frontit Perëndimor, një grupim qytetar që po bën fushatë për mbylljen dhe sigurimin e landfillit. “Lanfilli mund të të vrasë, siç e kemi përjetuar në Fyli, ndërsa për të tjerët mund të jetë burim fitimi.”