"Arlinda Zekaj: "S'keni vepruar, djalit i është shkatërruar shëndeti mendor" - Biseda e ngurët me togerin e Policisë së Pejës
Arlinda Zekaj, në një audio-incizim, i drejtohet togerit të Policisë së Pejës, Faruk Muqollit, duke e akuzuar atë për mosveprim në kërkesat e saj për ndihmë për djalin e saj, i cili ka shkatërruar shëndeti mendor.

Janë publikuar detaje të reja nga kërkesat e Arlinda Zekajt drejtuar institucioneve të Kosovës para se të vritej nga kunati i saj. Një audio-incizim i publikuar së fundmi ka të bëjë me një bisedë të zhvilluar mes Arlinda Zekajt dhe togerit të Policisë së Pejës, Faruk Muqollit. “Unë jam e interesuar, kur e pash djalin që është shkatërruar shëndeti mendor i djalit tim, s’keni vepru kurrgjë” , i drejtohet 49-vjecarja togerit të policisë, derisa i njëjti thotë se nuk është i obliguar të “merret me të”. “Nuk din? Sa herë më thirr inspektorati unë i them le të paraqet ankesë me shkrim. Të kam thënë edhe atë ditë unë s’jam i obligum me u marrë me ty se kam obligime, sa herë po vjen po e kërkon Farukin, po të del Faruki. Nuk jam i obligum, bindu se nuk jam” , dëgjohet t’i thotë Muqolli, Arlinda Zekaj. “Faruk unë jam lodhë, duhet zbatuar aktvendimi, kaq shumë e thjeshtë është” , i përgjigjet Zekaj, ndërsa togeri Faruk Muqolli i përgjigjet se “edhe ata janë lodhur”. “Edhe na jemi lodh. Bindu qe edhe na jemi lodh. Unë konsideroj që na jem në rregull” , thotë polici Muqolli. Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga kunati i saj, Albert Sylaj, vetëm dhjetë minuta pasi ajo u kthye nga policia pas denoncimit të ish-bashkëshortit për dhunë në familje.