VIDEO: Vajza shqiptare nën hetim në Itali për ISIS dhe eksplozivë
Një vajzë e mitur me origjinë shqiptare është nën hetim në Itali për të mitur për vetëtrajnim me qëllime terroriste dhe apologji të terrorizmit.

Një vajzë e mitur me origjinë shqiptare, banuese në zonën e Raguzës, në Siçili, është transferuar në një qendër të posaçme për të mitur, nën dyshimet për vetëtrajnim me qëllime terroriste dhe apologji të terrorizmit, përfshirë atë ndërkombëtar. Masa u ekzekutua nga Drejtoria e Hetimit dhe Operacioneve Speciale të Policisë (Digos) në Raguzë, me urdhër të Prokurorisë për të Miturit në Katania.
Sipas mediave italiane, hetimi nisi pas një sinjalizimi nga Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë së Brendshme (AISI), lidhur me një profil në platformën “TikTok” që publikonte materiale me përmbajtje xhihadiste. Kontrolli i telefonit të të miturës zbuloi, sipas hetuesve, materiale që dyshohet se dëshmojnë një proces të thellë radikalizimi. Mes tyre raportohet se kishte fotografi dhe video të organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS), përmbajtje të krijuara me inteligjencë artificiale, si dhe manuale me udhëzime për prodhimin e eksplozivëve në kushte shtëpie.
Në pajisjen elektronike u gjetën gjithashtu mesazhe me përmbajtje antisemitike dhe kontakte me persona të lidhur me organizatën terroriste ISIS, e njohur edhe si Daesh. Sipas informacioneve të bëra publike, e mitura kishte shpërndarë gjithashtu një video që dokumentonte sulmin ndaj një mësueseje, ngjarje e ndodhur në muajin mars në një shkollë në provincën e Bergamos.
Pas ndërhyrjes së autoriteteve gjyqësore, vajza është vendosur në një strukturë të mbrojtur për të mitur. Hetimet synojnë të sqarojnë shkallën e radikalizimit të saj, natyrën e kontakteve të krijuara në internet dhe rrethanat e shpërndarjes së materialeve me përmbajtje terroriste.
Deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë, ndaj të miturës vlejnë prezumimi i pafajësisë dhe garancitë ligjore që parashikohen për të miturin në konflikt me ligjin.