"Investimet në Shqipëri: Arsimi dhe shëndetësia marrin vetëm 5% të tortës 2,2 miliarde euro"
Shpenzimet kapitale në projektet e vitit 2027 në Shqipëri janë parashikuar të arrijnë 201.5 miliardë lekë, me një rritje prej 14.4% krahasuar me vitin 2026. Nga fondi i përgjithshëm, rreth 183.2 miliardë lekë janë të destinuara për projektet me financim të brendshëm dhe të huaj.

Shpenzimet kapitale në projektet e vitit 2027 në Shqipëri janë parashikuar të arrijnë 201.5 miliardë lekë, me një rritje prej 14.4% krahasuar me vitin 2026. Nga fondi i përgjithshëm, rreth 183.2 miliardë lekë janë të destinuara për projektet me financim të brendshëm dhe të huaj.
Ndër projektet me financim të mëdha janë porti i ri tregtar në Porto Romano, modernizimi i Forcave të Armatosura dhe rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Teksa pjesa më e madhe e investimeve është në transport dhe në ushtri, arsimi dhe shëndetësia mbeten të nën-financuara duke marrë së bashku vetëm 5% të fondit total të investimeve për 2027.
Sipas listës që shoqëron projekt-buxhetin 2027, investimet me financim të brendshëm arrijnë në 134.8 miliardë lekë, nga 128.2 miliardë lekë në vitin 2026, me një rritje prej 5.2%. Investimet me financim të huaj, përmes kredive dhe grantave, parashikohen në 48.4 miliardë lekë, nga 40.2 miliardë lekë në vitin 2026, me një rritje prej 20.3%.
Rrugët, rreth 30.9 miliardë lekë investime për PPP dhe Korridorin 8
Për programin e transportit rrugor janë planifikuar rreth 30.87 miliardë lekë në vitin 2027, duke përfshirë financimin e brendshëm dhe atë të huaj. Krahasuar me vitin 2026, kur ishin parashikuar rreth 31.41 miliardë lekë, fondet ulen me afërsisht 540 milionë lekë, ose 1.7%.
Pjesa më e madhe e financimit e zënë burimet e brendshme, me 27.93 miliardë lekë, ndërsa financimi i huaj arrin në 2.94 miliardë lekë.
Ndër zërat më të mëdhenj në program mbeten pagesat për kontratat koncesionare rrugore, të cilat arrijnë në rreth 5.2 miliardë lekë. Për kontratën e Rrugës së Arbërit janë parashikuar 3.36 miliardë lekë, ndërsa kontrata e rrugës Porti i Jahteve Orikum-Dukat ka një financim prej rreth 767 milionë lekësh.
Korridorin 8 gjithashtu është në fokus të financimeve. Zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë, merr 1 miliard lekë. Teksa për rivitalizimin e skarpeve në aksin Elbasan-Ura e Bushtricës janë parashikuar 840 milionë lekë, ndërsa për ndërtimin e aksit Ura e Grykshit-Peqin, faza e parë, 800 milionë lekë. Në projektet me financim të huaj, ndërtimi i segmentit Qukës-Qafë Plloçë merr rreth 1.18 miliardë lekë,
Ndërsa ndërtimi i rrugës Kashar-Nyja Vaqarr financohet me rreth 1.77 miliardë lekë për dy fazat e saj. Projekti për përmirësimin dhe rehabilitimin e urave, i mbështetur nga Banka Botërore, financohet me 945 milionë lekë.
Për Bypass-in e Tiranës janë planifikuar 500 milionë lekë nga financimi i huaj dhe për Bypass-in e Elbasanit 300 milionë lekë.
Hekurudhat, fondet rriten në rreth 9 miliardë lekë, Vorë-Hani-Hotit në fokus
Investimet në transportin hekurudhor do të arrijnë në 8.95 miliardë lekë në vitin 2027, nga 5.90 miliardë lekë në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej rreth 3.05 miliardë lekësh, ose 51.7%. Nga fondi i përgjithshëm, 2.4 miliardë lekë janë financim i brendshëm dhe 6.55 miliardë lekë financim i huaj. Projekti kryesor është rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, për të cilin vetëm komponentet e grantit dhe kredisë arrijnë në rreth 4.12 miliardë lekë, nga 2.04 miliardë lekë në vitin 2026.
Për rehabilitimin e linjës Durrës-Rrogozhinë janë parashikuar 924 milionë lekë, ndërsa për projektimin dhe ndërtimin e bazës mekanike për mirëmbajtjen e trenave 733 milionë lekë.
Ndërkohë, për zbatimin e projektit të lidhjes hekurudhore të terminalit të transportit publik me stacionin hekurudhor të Tiranës janë planifikuar 540 milionë lekë. Financim prej 619 milionë lekësh është parashikuar edhe për ndërtimin e godinave të stacioneve hekurudhore dhe përmirësimin e infrastrukturës përkatës në linjën Tiranë-Durrës.
Edhe pse pa fitues, planifikohen së bashku 10 miliardë lekë për Portin e Romanon
Programi i transportit detar regjistron një nga rritjet më të mëdha të investimeve për vitin 2027. Edhe pse qeveria nuk arriti të shpallë një fitues për projektin, vitin që vjen janë planifikuar rreth 10.05 miliardë lekë për nisjen e punimeve. Pothuajse e gjithë kjo shumë është parashikuar për financimin e brendshëm.