Bujar Spahiu në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për Medresetë Shqiptare
Kryetari i Komunitetit Mysliman i Shqipërisë, Bujar Spahiu, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për Medresetë Shqiptare, të organizuar në Prishtinë. Konferenca trajtoi historinë, trashëgiminë dhe kontributin e medreseve në jetën arsimore, fetare dhe kombëtare të shqiptarëve.

Kryetari i Komunitetit Mysliman i Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për Medresetë Shqiptare, të organizuar në Prishtinë nga Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame i Bashkësisë Islame të Kosovës, në bashkëpunim me Medresenë e Mesme "Alauddin" dhe Fakultetin e Studimeve Islame.
Në hapje të konferencës morën pjesë edhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnavë, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, si dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, krahas përfaqësuesve të institucioneve fetare, akademike dhe shtetërore.
Në fjalën e tij, Kryetari Spahiu u ndal në rolin historik të medreseve në formimin e brezave, në përcjelljen e dijes dhe në ndërthurjen e identitetit fetar me atë kombëtar dhe përgjegjësinë qytetare. Ai theksoi se medresetë kanë shërbyer si një urë ndërmjet trashëgimisë së kaluarës dhe nevojave të reja të shoqërisë shqiptare.
Gjithashtu, Kryetari i KMSH-së vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve islame shqiptare në fushën e kërkimit shkencor, dokumentimit të trashëgimisë dhe zhvillimit të arsimit, duke theksuar nevojën që medresetë të ndërthurin formimin fetar dhe etik me përgatitjen bashkëkohore të brezave të rinj.
Nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë morën pjesë si referues edhe Dr. Elton Karaj, Drejtor i Institutit të Studimeve Islame "H. Sabri Koçi", PhD. Ledian Cikalleshi, Myfti i Vorës, dhe Dr. Hysni Skura, Myfti i Matit. Në konferencë ishte i pranishëm gjithashtu edhe Nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli.
Konferenca mblodhi rreth 60 studiues dhe referues, të cilët trajtuan historinë, trashëgiminë dhe kontributin e medreseve në jetën arsimore, fetare dhe kombëtare të shqiptarëve.
Konferenca zhvillohet në kuadër të 75-vjetorit të themelimit të Medresesë "Alauddin", ndërsa punimet vijojnë përmes referimeve shkencore kushtuar historisë, trashëgimisë dhe kontributit të medreseve shqiptare.