Hajdutët e fondeve të fermerëve: Nga Frida Krifca te servilët e pushtetit, milionat e BE-së përfunduan te njerëzit e partisë
Hetimi i OLAF-it zbuloi një mekanizëm abuzimi me paratë europiane, duke përfshirë kompani konsulence të paracaktuara, oferta fiktive dhe çmime të fryra. Programi IPARD III u pezullua, ndërsa klientela politike kishte siguruar financime për agroturizëm, bujtina, kantina dhe biznese të medha.

Fermerët shqiptarë ishin të pritshëm për grantet për të blerë traktorë apo për të ndërtuar sere, por klientela politike kishte siguruar financime qindra mijëra eurosh për agroturizëm, bujtina, kantina dhe biznese të medha.
Një nga emrat që bie menjëherë në sy është Ardian Tufa, i njohur si Nari i Lundrës, drejtues i Njesisë Administrative Farkë dhe njeri i afërt me kryebashkiakun Erion Veliaj. Sipas investigimit të emisionit Plug, Tufa ka përfituar 247 mijë euro nga IPARD për një investim agroturizëm, ndërsa është shfaqur publikisht edhe pranë Frida Krifcës.
Elton Bualli, ish-administrator i inceneratorit të Sharrës, figuron me 310 mijë euro për ndërtimin e një sere. Në Tepelenë, Manjola Haska, e motra e Tërmet Peçit, ka përfituar 225 mijë euro për shtëpizën druri në Rexhinenë. Bashkëshorti i saj rezulton gjithashtu përfitues i 15 mijë eurove. Ndërkohë, kompania IUMENTIS, e lidhur në denoncimet mediatike me interesat pranë Peçit dhe ish-drejtorit Lorenc Bami, figuron me rreth 758 mijë euro.
Alban Zusi, ish-zëvendësministër i Bujqësisë në qeverinë Rama, ka marrë 532 mijë euro për një fabrikë përhapje peshku. Dashamir Peza, ish-deputet socialist dhe njeri i afërt me Ramën, ka përfituar 222 mijë euro për agroturizëm.
Në listën shfaqen edhe Loreta Tozaj, ish-drejtoreshë e Kadastrit të Vlorës, e njohur për afërsinë publike me kryeministrin. Ajo ka përfituar 82 mijë euro për një investim në Kllarat. Petrit Tare, ish-drejtor i Ujësjellësit të Korçës, i lidhur politikisht me Niko Peleshin, figuron përmes kompanisë BLOOM Fruits me 251 mijë euro për një serë. Shkelqim Bullari, ish-deputet socialist i Cërrikut, është promovuar bashkë me vëllezërit e tij për investime në pemëtari dhe agroturizëm, ndonëse shuma e përfitimit nuk është dokumentuar publikisht.
Njerëzit e partisë duket se kanë gjetur rrugën drejt fondeve europiane shumë më lehtë se fermeri i zakonshëm. Mjafton të shohesh sa ish-zyrtarët dhe familjarët e politikanëve shfaqen në këto lista për të kuptuar pse shpërndarja e grantave kërkon një hetim të hollësishëm.
Edhe Gjergj Luca në gjurmët e fondeve IPARD
Në këtë histori del edhe Gjergj Luca, biznesmeni i peshkut, i cili gjatë qeverisjes socialiste është përmendur vazhdimisht për përfitimin e pronave dhe pasurive publike.
Në vitin 2019 Luca aplikoi pranë AZHBR-së, nëpërmjet kapitenit të anijes Rozafa, Andon Nako, për një financim prej 400 milionë lekësh për rikonstruksion anijesh.
Në të njëjtin grup përfitesish përmenden edhe Ndrec Llusku, ish-kandidat i lidhur me Tom Doshi, me 91 mijë euro dhe familjarët e ish-kryebashkiakut të Divjakës, Eriona dhe Andi Kokoneshi, me përkatësisht 44 mijë dhe 32 mijë euro.