70-vjeçarja Ana po shkonte në dasmën e vajzës kur u zhduk në aksidentin e trenave në Spanjë
68 persona janë zhdukur pas përplasjes së dy trenave në Spanjë, ndërsa vëmendja është përqendruar në historitë e pasagjerëve që mbetën të plagosur ose rezultojnë të zhdukur.

70-vjeçarja Ana Aviles ishte një prej pasagjerëve që udhëtonte në trenin AVE kur ndodhi aksidenti. Ajo po udhëtonte drejt Seviljes për të marrë pjesë në dasmën e vajzës së saj, e cila do të martohej të shtunën me të fejuarin, Francisco Jimenez. Familjarët e Aviles kishin shkuar në zonën e aksidentit dhe kishin kërkuar në çdo vend të mundshëm, por ende nuk kishin marrë informacion për fatin e saj.
27-vjeçari Juan José García Palacios, nga Sevilja, ishte një tjetër prej pasagjerëve që udhëtonte në trenin AVE. Ai ndodhej në vendin 108C të vagonit 8 dhe po kthehej pranë familjes pas një jave pune. Palacios punon për Ministrinë e Brendshme në Madrid dhe dëshironte të kthehej në vendlindje për të kaluar disa ditë me të afërmit në shtëpinë e tyre në Utrera.
22-vjeçari David Reina Reguera, nga Malaga, ishte një tjetër i zhdukur në aksident. Ai jetonte në Madrid dhe punonte si teknik treni dhe po udhëtonte i vetëm në vagonin 8 të trenit AVE, me destinacion Malagën, ku planifikonte të kalonte disa ditë me familjen. Sipas tezes së tij, Davidi është 1,85 metra i gjatë, ka flokë të zinj dhe mban një vath në veshin e majtë.
Në një vagon përpara atij ku udhëtonte Reina Reguera ndodhej edhe 69-vjeçarja Sharona Freudman, një pensioniste nga Kanadaja. Ajo udhëtonte së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj, të cilët shpëtuan dhe po marrin trajtim në spital. Sipas mbesës së Freudman, ata ndodheshin në vagonin e restorantit kur ndodhi aksidenti.
Në vagonin 7 udhëtonte gjithashtu Roberto Alfonso Delgado Andrade, i cili po shkonte në Sevilje së bashku me arkitekten Patricia Fernandez. Vajza e tij tha se familja nuk kishte arritur të merrte ende informacion për fatin e tij, pavarësisht përpjekjeve për ta kontaktuar.