Urdhri i trasferimit i Veliaj është klasifikuar “sekret shtetëror”
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e konsideroi transferimin e Erion Veliaj drejt burgut të Fierit si një procedurë standarde, ndërsa urdhrin e transferimit e ka klasifikuar si “sekret shtetëror”.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e konsideroi një “procedurë standarde” transferimin e Erion Veliaj drejt burgut të Fierit, përmes një njoftimi për shtyp të enjten, ndërsa theksoi se urdhrin e transferimit të tij nuk mund të vihej në dispozicion pasi ishte klasifikuar si “sekret shtetëror”. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, trasferimi i Veliajt u krye në kuadër të masave të marra së fundmi për sigurinë dhe garantimin e mbarëvajtjes së institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale. Burgjet deklaruan gjithashtu se Veliaj është një nga 24 personat e transferuar brenda sistemin penitenciar mes datave 16-27 tetor të këtij viti, pasi në krye të institucionit u emërua drejtoresha e re, Sadleva Bodo. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pretendon se ka zbatuar detyrimet e ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” si dhe Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve në transferimin e kryebashkiakut të Tiranës. Ajo shtoi gjithashtu se Veliaj ishte mbajtur fillimisht në ambientet e sektorit të observimit dhe pas një takimi me strukturat përgjegjëse të burgut të Fierit të enjten, është vijuar me sistemimin e tij të plotë. “Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”,” thuhet në njoftim, ku shtohet se administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion i nënshtrohet kushteve të ligjit “Për informacionin e klasifikuar”. Veliaj e denoncoi transferimin e tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit të mërkurën përmes një statusi në Facebook, ku ai ankohej se nuk i ishte vënë në dispozicion urdhrin e transferimit dhe arsyet e transferimit, pavarësisht kërkesave të përsëritura të tij dhe të avokatit të tij. “Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia,” shkroi Veliaj, duke e konsideruar më tej transferimin e tij si “politik”. Veliaj ndodhet në qeli prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua nga Prokuroria e Posaçme për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave përmes një skeme që përfshin edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Veliaj i ka mohuar akuzat dhe zhvilloi një betejë gjyqësore ndaj prokurorit të çështjes së tij, Ols Dado. Trajtimi i Veliajt në burg ka shkaktuar përplasje edhe në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste të enjten, ku sipas raportimeve mediatike, deputeti Bledi Çuçi i kërkoi shpjegime ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Megjithatë, njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve nënkupton se ministri i Drejtësisë mund të ketë qenë jashtë kësaj vendimarrjeje, pasi sipas tij, vlerësimi dhe vendimarrja për transferimet përfshihet në “kompetencën dhe diskrecionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve”.