ISTOG/ Arrestohen dy persona të dyshuar për krime lufte, masakra e Padalishtës
Dy persona të dyshuar për krime lufte janë arrestuar në Istog, në lidhje me Masakrën e Padalishtës, që ndodhi më 26 mars 1999 në Komunën e Istogut.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte. Rasti lidhet me Masakrën e Padalishtës, që ka ndodhur më 26 mars 1999 në Komunën e Istogut. Autoritetet kanë thënë se dy të dyshuarit u lokalizuan më 29 tetor dhe Z.B. u arrestua në fshatin Osjan, ndërkohë G.B. në Cerkolez të komunës së Istogut.
Hetimet për këto masakër, sipas autoriteteve, po zhvillohen për një kohë të gjatë, ndërsa nuk u dhanë detaje të tjera për rastin. Në Masakrën e Padalishtës ishin vrarë 19 anëtarë të familjes Imeraj. Mosha e viktimave ishte nga dy deri në 76 vjeç.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e pushtetit aktual në Serbi, pretendoi tre serbë janë arrestuar në Istog mëngjesin e sotit. Të pyetur për këto pretendime të Listës Serbe, nga Prokuroria Speciale u referuan komunikatës së lëshuar nga ata si i përket numrit të të arrestuarve.
Përmes një reagimi, Lista Serbe tha se arrestimi i tyre "ka shqetësuar të gjithë popullin serb", duke akuzuar autoritetet e Kosovës se "pa prova bindëse për fajësinë e tyre" po vazhdon arrestimet për krime lufte.
"U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë të reagojnë dhe të përfshihen në këto procedura. Ata e kanë për detyrë të monitorojnë punën e Policisë së Kosovës dhe të Prokurorisë, si dhe të parandalojnë keqpërdorimin e institucioneve me qëllim të përndjekjes së serbëve mbi bazë të etnikës", u tha në reagimin e Listës Serbe.
Së voni, autoritetet kanë iniciuar një sërë rastej që kanë t'u bërë për krime lufte kundër popullatës civile dhe kanë ngritur akuza ndaj të dyshuarve, përfshirë edhe akuza në mungesë.
Ndërkohë, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, dhjetëra persona janë dënuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë.