Kina "fshin" të korruptuarit, Xi me dorë të hekurt, rekord përjashtimesh nga partia
Partia Komuniste e Kinës ka përjashtuar 33 anëtarë nga radhët e saj, duke përfshirë 16 zyrtarë të ushtrisë, për shkelje disiplinore dhe ligjore.

Plenumi i pestë i Partisë Komuniste e Kinës u zhvillua në Pekin me pjesëmarrjen e 279 anëtarëve të Komitetit Qendror, një shifër më e ulët se në mbledhjet e mëparshme. Ky është rasti i parë gjatë 14 viteve të udhëheqjes së Xi Jinping që numri i pjesëmarrësve bie nën 300.
Figurë të rëndësishme të përjashtuara janë ish-udhëheqësi i Partisë në Xinjiang, Ma Xingrui, si dhe gjeneralët e lartë Zhang Youxia dhe Liu Zhenli. Gjithashtu, në listën e zyrtarëve të larguar përfshihet diplomati i njohur Liu Jianchao, i cili ishte zhdukur nga jeta publike që prej korrikut të vitit të kaluar.
Pastrimi i strukturave të larta ushtarake ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi drejtimin e ushtrisë kineze dhe gatishmërinë e saj luftarake. Komisioni Qendror Ushtarak, institucioni që kontrollon forcat e armatosura, ka mbetur me vetëm dy anëtarë: Xi Jinping, në krye të tij, dhe Zhang Shengmin, në postin e nënkryetarit.
Xi Jinping e ka vendosur luftën kundër korrupsionit në qendër të qeverisjes së tij që prej vitit 2012. Megjithatë, analistët vlerësojnë se fushata po shërben gjithnjë e më shumë edhe për të garantuar besnikërinë politike dhe për të larguar zyrtarët që konsiderohen të pabindur ndaj udhëheqjes.