Sulmi me armë në Paris: I dyshuari pranon se shënjestroi myslimanë dhe persona me origjinë afrikane
I dyshuari për sulmin me armë në Trappes dhe La Verrière, në periferi të Parisit, ka pranuar se kishte shënjestruar qëllimisht persona që i perceptonte si myslimanë ose me origjinë afrikane.

I dyshuari për të shtënat me armë në Trappes dhe La Verrière, në periferi të Parisit, ka pranuar se kishte shënjestruar qëllimisht persona që i perceptonte si myslimanë ose me origjinë afrikane. Lajmi u bë i ditur të enjten nga prokurori kombëtar antiterrorizëm i Francës, Olivier Christen.
39-vjeçari, i identifikuar si Kévin T., akuzohet për vrasjen e një personi dhe plagosjen e shtatë të tjerëve gjatë sulmit të 23 tetorit, kur qëlloi ndaj njerëzve fillimisht nga një automjet dhe më pas në këmbë.
Sipas prokurorit, i dyshuari ka deklaruar se zgjodhi zonën e Trappes sepse e konsideronte atë si “një strehë për islamistët”. Gjatë marrjes në pyetje, ai pranoi gjithashtu se sulmi ishte i paramenduar dhe se kishte qëlluar disa herë me armë.
Hetuesit zbulojnë prova të përgatitjes së sulmit
Autoritetet franceze e kanë përshkruar përgatitjen e sulmit si të gjerë. Sipas hetimeve, që nga muaji shtator, i dyshuari kishte blerë disa pajisje për të përmirësuar efektivitetin e armës së tij, një mitraloz i tipit Sten, i prodhuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai kishte siguruar gjithashtu një shirit policie dhe pranga.
Gjatë kontrollit në banesën e tij në Plaisir, autoritetet zbuluan një arsenal që përfshinte karikatorë, doreza metalike, një bajonetë çeliku dhe një silenciator. Në banesë u gjetën gjithashtu një Kuran, një Bibël dhe një kopje e librit “Mein Kampf” të Adolf Hitlerit.
Hetuesit gjetën edhe afishe me slogane nacionaliste, disa prej të cilave përmbanin mesazhe në mbështetje të Francës, forcave të sigurisë dhe partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar (RN). I dyshuari pranoi se i kishte krijuar dhe porositur ato në internet, por mohoi të ishte anëtar apo mbështetës i ndonjë partie politike.
Viktima e sulmit ishte Pengo Bossio Wangi, 26 vjeç, me origjinë nga Republika Demokratike e Kongos. Mes shtatë të plagosurve ishte edhe një vajzë 11-vjeçare, jeta e së cilës, sipas autoriteteve, nuk ndodhej më në rrezik.
Sipas informacionit të bërë publik të enjten, tre prej të plagosurve vijon të merrnin trajtim në spital, ndërsa njëri prej tyre ishte në gjendje kërcënuese për jetën.
Pavarësisht pranimit se kishte shënjestruar persona për shkak të perceptimit të tij mbi përkatësinë fetare ose origjinën e tyre, Kévin T. mohoi se kishte synuar të kryente një akt terrorist. Ai i cilësoi veprimet e tij si “legjitime” dhe deklaroi se nuk ndiente keqardhje.
I dyshuari mohoi gjithashtu se kishte pasur si qëllim të vriste fëmijë, duke pretenduar se mund ta kishte vlerësuar gabim gjatësinë e vajzës 11-vjeçare.
Probleme të raportuara të shëndetit mendor
Sipas prokurorit, i dyshuari kishte raportuar më parë probleme psikologjike dhe psikiatrike. Megjithatë, një ekzaminim mjekësor nuk konstatoi shenja të një krize akute psikiatrike, halucinacionesh apo deluzionesh që do të justifikonin shtrimin e detyrueshëm në spital.
Hetimet për sulmin vijojnë, ndërsa autoritetet franceze po shqyrtojnë rrethanat, motivet dhe provat e mbledhura për të përcaktuar përgjegjësinë penale të të dyshuarit.