Shteti shqiptar përballet me një faturë prej afro 205 milionë eurosh nga arbitrazhet dhe Gjykata e Strasburgut
Shteti shqiptar përballet me një faturë prej afro 205 milionë eurosh nga arbitrazhet dhe Gjykata e Strasburgut. Detyrimet financiare të shtetit shqiptar nga arbitrazhet ndërkombëtare arrinë në 184.7 milionë euro, ndërsa detyrimet nga Gjykata e Strasburgut janë të regjistruara në 20.1 milionë euro.

Shteti shqiptar përballet me një faturë prej afro 205 milionë eurosh nga arbitrazhet dhe Gjykata e Strasburgut. Sipas dokumentacionit shoqërues të projektbuxhetit të vitit 2027, qeveria evidenton detyrimet financiare që burojnë nga arbitrazhet ndërkombëtare dhe vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Peshën më të madhe e zënë arbitrazhet ndërkombëtare. Sipas të dhënave zyrtare deri në shtator 2026, detyrimet e evidentuara në këtë kategori arrinë në 184.7 milionë euro. Prej tyre, 74.5 milionë euro janë klasifikuar si detyrime faktike, ndërsa 110.2 milionë euro si detyrime kontingjente, të lidhura me çështje për të cilat rezultati financiar nuk është përcaktuar përfundimisht.
Por arbitrazhet nuk janë burimi i vetëm i faturës. Në dokumentet e buxhetit figurojnë edhe 20.1 milionë euro detyrime nga çështjet në Gjykatin Evropian të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Nga kjo shumë, rreth 18 milionë euro janë detyrime sipas vendimeve gjyqësore, ndërsa 2.1 milionë euro janë regjistruar si detyrime kontingjente.
Mes çështjeve të evidentuara në dokumentacionin buxhetor janë “Sharxhi kundër Shqipërisë”, me një vlerë prej 13.45 milionë eurosh, dhe “Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, me 4.42 milionë euro.
Në total, dokumentet e projektbuxhetit regjistrojnë 92.6 milionë euro detyrime faktike dhe 112.3 milionë euro detyrime kontingjente. Të marra së bashku, këto shuma e çojnë ekspozimin financiar të shtetit shqiptar nga proceset gjyqësore ndërkombëtare në 204.9 milionë euro.
Fakti që një pjesë e çështjeve nuk ka përfunduar nuk e zhduk peshën e tyre mbi financat publike. Për këtë arsye, përfshirja e këtyre shumave në dokumentacionin e buxhetit tregon se shteti i ka identifikuar si detyrime ose rreziqe financiare që duhen marë në konsideratë.
Kjo faturë ngre pyetje për ndikimin që vendimet ndërkombëtare mund të kenë mbi buxhetin e shtetit në vitet e ardhshme. Çdo shumë që përfundon në pagesë përballohet nga fondet publike, duke shtuar presionin mbi financat e vendit.