Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit politikë të PS-së për zhvillimet politike dhe Buxheti 2027
Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të premte ministrat e kabinetit dhe drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste për të diskutuar zhvillimet politike dhe Buxhetin 2027.

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të premte ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste. Takimi është parashikuar të nisë në orën 09:30. Mbledhja zhvillohet në një moment me zhvillime të rëndësishme politike, pas protestave të ditëve të fundit në Tiranë, ndërsa në axhendën institucionale është edhe shqyrtimi i projekt-buxhetit për vitin 2027 dhe paketës fiskale.
Vetëm gjysmë ore pas nisjes së takimit të Ramës, në orën 10:00, në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat do të prezantohet projekt-ligji për Buxhetin 2027, së bashku me ndryshimet e propozuara në legjislacionin fiskal. Paketa përfshin ndryshime në ligjet për akcizat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), taksat kombëtare, tatimin mbi të ardhurat dhe procedurat tatimore.
Gjatë prezantimit të paketës fiskale, Rama njoftoi një sërë ndryshimesh në taksimin e qytetarëve dhe bizneseve. Një nga premtimet kryesore ishte ulja e TVSH-së për produktet bazë ushqimore nga 20% në 6%, për të cilën kryeministri deklaroi se do të shtojë 150 milionë euro në vit në buxhetet familjare. Nga ana tjetër, qeveria parashikon rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% për produktet dhe shërbimet jashtë shportës bazë.
Rama njoftoi gjithashtu rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, ndërsa tha se tatimi mbi fitimin e sipërmarrjes do të mbetet në nivelin 15%. Ndryshime do të ketë edhe në tatimin mbi pagat. Pragu i sipërm i fashës së tatimit 13% do të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë, masë nga e cila, sipas kryeministrit, do të përfitojnë rreth 32 mijë tatimpagues. Ndërkohë, parashikohet një fashë e re me tatim 30% për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj.
Një tjetër ndryshim lidhet me bizneset e vogla, ku pragu i përfshirjes në skemën e TVSH-së propozohet të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Për sektorin e hotelerisë, TVSH-ja për shërbimet e akomodimit parashikohet të rritet nga 6% në 10%, me përjashtim të agroturizmit.
Projekt-buxheti dhe paketa fiskale pritet të kalojnë për shqyrtim në Kuvend, ku do të përcaktohet edhe forma përfundimtare e këtyre ndryshimeve.