Pushteti është si violina, e kap me dorën e majtë dhe luan me të djathtën…
Eduardo Galeano shpreh se pushteti shpesh fitohet me një gjuhë dhe ushtrohet me një tjetër. Ai kritikon hipokrizinë e pushtetit dhe aftësinë e tij për të përdorur ideologjinë si instrument për të marrë legjitimitet.

Eduardo Galeano, me ironinë e tij të mprehtë, arrin të përmbledhë në fjalën e mësipërme, që e përdor si titull, një nga kundërshtimet e vjetra të politike. Ai që pushteti shpesh fitohet me një gjuhë dhe ushtrohet me një tjetër.
Vijenë në pushtet me populizëm duke folur për të majtën, barazinë, drejtësinë sociale, solidaritetin dhe interesin e shumicës së popullit. Premtojnë të ndryshojnë rendin ekzistues, të mbrojnë të dobëtit dhe të çmontojnë privilegjet. Por, sapo ulen në karrigen e pushtetit, zbulojnë se muzika që duan të luajnë është krejt tjetër.
Ata herë herë harrohen premtimet, relativizohen parimet dhe fillojnë kompromiset me ata që dikur paraqiteshin si kundërshtarë. E majta mbetet në fjalime, ndërsa e djathta shfaqet në mënyrën se si shpërndahen privilegjet, si menaxhohet ekonomia dhe si ndërtohen marrëdhëniet me pushtetin ekonomik.
Ndërkohe “e djathta e pretenduar” në opozitë shpërfaqet si e majta dhe mbrojtëse e shtresave vulnerabele, por jam i bindur se sikur të vijë në pushtet asgjë nga ato që mbronte nuk do të zbatonte.
Por Galeano nuk flet thjesht dhe vetëm për dallimin mes së majtës dhe së djathtës. Ai godet një fenomen shumë të thellë. Hipokrizinë e pushtetit dhe aftësinë e tij për të përdorur ideologjinë si instrument për të marrë legjitimitet, jo domosdoshmërisht për ta zbatuar atë.
Në Shqipëri, metafora e Galeanos është aktuale. Retorika e ndryshimit bashkëngjitë me vazhdimësinë, premtimet për barazi me krijimin e privilegjeve, fjalimet për qytetarin me një administratë që i bindet partisë më shumë se ligjit. Flamuri ideologjik mund të ndryshojë ngjyrë, ndërsa mekanizmi i pushtetit mbetet i njëjti.
Ky është absurditeti i parashikuar nga Orwell dhe i ironizuar nga Galeano. Nuk mjafton të dish me cilën dorë ke kapur violinën. Duhet të shohësh edhe me çfarë dorë luan, të degjosh se çfarë muzike luan, për kë të luan dhe kush paguan orkestrën.
Pushteti nuk gjykohet nga emri që i vë vetes, nga programi elektoral apo nga ngjyra e flamurit. Gjykohet nga politikat që zbaton, nga mënyra si shpërndahen mundësitë, nga raporti me ligjin, nga respekti për qytetarin dhe, mbi të gjitha, nga mënyra si trajton ata që nuk kanë pushtet.
Dhe nëse e çojmë deri në fund aforizmin e Galeanos, ideologjia është partitura, pushteti është instrumenti, ndërsa qytetarët janë publiku që paguajnë biletën. Pyetja është nëse muzika që degjohet/më ka lidhje me atë që iu është premtuar.
Por fatkeqësisht politikanët ndërrojnë duart, partitë ndërrojnë gjuhën, qeveritë ndërrojnë emrat, ndërsa muzika vazhdon të jetojë e njëjta.