Vrasja e Arlinda Zekajt në Kosovë: 13 zyrtarë të policisë dhe prokurorisë pezulluar
Vrasja e Arlinda Zekajt në Kosovë ka sjellë pasoja në institucionet e drejtësisë dhe policisë. Dyshimet për neglizhencë institucionale dhe mosveprim kanë çuar në pezullimin e 13 zyrtarëve të policisë dhe prokurorisë.

Vrasja e Arlinda Zekajt në Kosovë ka sjellë pasoja në institucionet e drejtësisë dhe policisë. Dyshimet për neglizhencë institucionale dhe mosveprim kanë çuar në pezullimin e 13 zyrtarëve të policisë dhe prokurorisë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur pezullimin e përkohshëm nga detyra të kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, si dhe prokurores së çështjes, Arlinda Nallbani-Gacaferri. Vendimi është marrë pas kërkesës së kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, i cili kishte rekomanduar gjithashtu nisjen e procedurave disiplinore ndaj tyre.
Për shqyrtimin e përgjegjësive në këto çështje është ngritur një panel hetimor, ndërsa në krye të Prokurorisë së Pejës, në cilësinë e ushtrueses së detyrës, është emëruar Valbona Disha-Haxhosaj.
Masa disiplinore janë ndërmarrë edhe në Policinë e Kosovës. Me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), janë pezulluar 11 zyrtarë policorë, ndaj të cilëve ka nisur një hetim paraprak për veprimet dhe mosveprimet gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt.
Në mesin e zyrtarëve të pezulluar janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, shefi i Sektorit të Hetimeve, ushtruesi i detyrës së shefit të Operativëve në këto stacion, komandanti i Nënstantionit Policor në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.
Sipas konstatimeve paraprake të Inspektoratit Policor, gjatë trajtimit të rastit janë evidentuar mungesa në zbatimin e urdhrave mbrojtës të lëshuar për viktimën. Urdhri i parë, i datës 7 shtator, nuk rezulton të jetë dokumentuar si i ekzekutuar, ndërsa urdhi i dyti, i lëshuar më 16 tetor, është zbatuar vetëm gjashtë ditë më vonë, më 22 tetor, pas ndërhyrjes së Inspektoratit Policor.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në banesën e saj në Vitomiricë të Pejës. Për ngjarjen dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua më 27 tetor në Deçan. Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e paraburgimit prej një muaji.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta, veçanërisht për faktin se viktimja kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë dhe mbrojtjen e institucioneve, duke paralajmëruar për rrezikun që i kanosej. Vetëm tri ditë para se të vritej, ajo i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, ku shprehte frikën për jetën e saj.
Pezullimet dhe hetimet ndaj zyrtarëve të policisë dhe prokurorisë synojnë të zbarkojnë nëse institucionet kanë përmblushur detyrimet e tyre për mbrojtjen e viktimës dhe nëse vonesat apo mosveprimet e konstatuara kanë ndikuar në tragjedinë që tronditi Pejën.