Malaj në Kuvend për buxhetin 2027, më shumë shpenzime dhe taksa
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar projektbuxhetin 2027 në Komisionin e Ekonomisë, me shpenzime publike që do të tejkalojnë 10 miliardë euro dhe ardhurat buxhetore që parashikohen në 907.9 miliardë lekë, me rritje prej 7.7% krahasuar me pritshmëritë për vitin 2026.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar projektbuxhetin 2027 në Komisionin e Ekonomisë, me shpenzime publike që do të tejkalojnë 10 miliardë euro dhe ardhurat buxhetore që parashikohen në 907.9 miliardë lekë, me rritje prej 7.7% krahasuar me pritshmëritë për vitin 2026.
Prioritetet kryesore të buxhetit do të jenë mbështetja sociale, investimet publike dhe ruajtja e stabilitetit fiskal. Deficiti buxhetor parashikohet në 2.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa borxhi publik synohet të ulët në 52.4% të PBB-së, nga 52.9% në fund të vitit 2025.
Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet parashikohen në 793.8 miliardë lekë, ose 56 miliardë lekë më shumë se pritshmëritë për vitin 2026. Rritja prej 7.6% do të mbështetet edhe te masat e reja fiskale dhe Strategjia Afatmesme e të Ardhurave.
Për mbështetjen e pensionistëve parashikohet një fond prej 24 miliardë lekësh, ose rreth 250 milionë euro, që përfshin indeksimin dhe dyfishimin e bonusit mujor sipas kategorive.
Shpenzimet për mbrojtjen sociale do të arrijnë në 279.7 miliardë lekë, rreth 30% të shpenzimeve buxhetore. Për familjet parashikohet mbështetje mujore për fëmijët deri në moshën pesëvjeçare dhe dyfishim i pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Ministri tha para deputetëve në Komision se, investimet publike janë planifikuar në 201.5 miliardë lekë, mbi 2 miliardë euro, ose 6.9% të PBB-së. Për infrastrukturën dhe energjinën parashikohen 75.4 miliardë lekë, përfshirë financimin e projekteve kryesore rrugore.
Buxheti i arsimit do të arrijë në 93.6 miliardë lekë, ndërsa shëndetësia do të financohet me 87.2 miliardë lekë, rreth 6 miliardë lekë më shumë se buxheti fillestar i vitit 2026.
Për bujqësinë parashikohen 17.9 miliardë lekë, nga të cilat 5.3 miliardë lekë për mbështetjen direkte të fermerëve dhe 3 miliardë lekë për kompensimin e TVSH-së.
Projektbuxheti shoqërohet me ndryshime të rëndësishme fiskale që do të prekin bizneset dhe konsumatorët. Norma standarde e TVSH-së propozohet të rritet nga 20% në 21%, ndërsa për 54 produkte të shportës bazë do të aplikohet norma e reduktuar prej 6%.
Pragu i regjistrimit në TVSH do të ulët nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore, duke përfshirë në skemë një numër më të madh biznesesh të vogla. Ndërkohë, tatimi mbi dividendin propozohet të rritet nga 8% në 15%.
Sipas ministrit Malaj, të ardhurat shtesë nga tatimi mbi dividendin do të përdoren për lehtësimin e tatimit mbi të ardhurat personale, përmes ndryshimit të fashës nga 200 mijë në 300 mijë lekë.
Paketa parashikon edhe heqjen e taksës së qarkullimit nga karburantet dhe zhvendosjen e saj te taksa vjetore e automjeteve. Kjo masë pritet të kushtojë buxhetit rreth 5 miliardë lekë, pasi të ardhurat e reja nuk do të kompensojnë plotësisht taksën aktuale.