Ilir Beqaj rikthehet në GJKKO për dosjen “SASPAC”
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është rikthyer në Gjykatën e Posaçme për të shqyrtuar dosjen “SASPAC”, pasi Prokuroria e Posaçme e kishte kthyer dosjen për plotësimin e hetimeve.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është rikthyer në Gjykatën e Posaçme për të shqyrtuar dosjen “SASPAC”. Kjo është hera e dytë që dosja merret në shqyrtim nga Gjykata e Posaçme, pasi rreth tre muaj më parë ajo vendosi ta kthejë çështjen në SPAK për plotësimin e hetimeve.
Pas plotësimit të hetimeve nga Prokuroria e Posaçme, dosja është rikthyer në GJKKO, ku pritet të shqyrtohet nëse plotësohen kushtet për kalimin e saj për gjykim.
Ilir Beqaj është një nga personat e përfshirë në dosjen “SASPAC”, e cila lidhet me dyshimet për shkelje në menaxhimin e fondeve të këtij institucioni.
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u lirua nga burgu më 31 Korrik 2026, pasi Gjykata Kundra Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi t’i lehtësojë masën e sigurisë në “arrest shtëpie”.
Ai u arrestua më 4 korrik 2024 për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Beqaj u mor i pandehur nga SPAK, ku u hetuan abuzimet me fondet e kësaj agjencie, që koordinonte fonde të BE-së.
Atij iu komunikua në përfundim të hetimeve se i janë ngritur 4 akuza, ajo e përfshirjes në korrupsion gjatë drejtimit të kësaj agjencie, mosdeklarimit të pasurisë, mashtrim me pasoja të renda dhe shkelje të barazisë në tendera.
Bashkë me Beqajn, të pandehur në këtë dosje janë marrë edhe 7 persona të tjerë, mes të cilëve edhe Ermal Kurtulaj, i njohur si njëri i afërt i Beqajt dhe punonjës në SASPAC.
Hetimet për këtë çështje, nisi në shtator 2023, kur SPAK vuri në përgjim Kurtulajn dhe njerëz të tjerë të afërt të ish-ministrit. Përgjimet treguan se si nëpërmjet faturave fiktive, fonde të kësaj agjencie kanalizoheshin drejt restorantit që drejtohej në hije nga Beqaj.
Ky i fundit i ka mohuar akuzat e SPAK në disa reagime publike. Nga ana tjetër Beqaj është marrë i pandehur edhe për dosjen ku u hetua koncensioni i Sterilizimit për dyshimet se duke bashkëpunuar si grup kriminal me ish-vartësin e tij në ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rjepajn dhe biznesmenin Ilir Rapaj, kanë vjedhur duke shpërdoruar detyrën.