Danimarka rishikon trajnimin e gardianëve kosovarë pas incidentit me të burgosurin
Dy gardianë kosovarë dyshohen për dhunën ndaj një të burgosuri në Danimarkë, çka ka shkaktuar rishikimin e trajnimit të tyre.

Dy gardianë nga Kosova dyshohen për ushtrim dhune ndaj një të burgosuri në Kopenhagen të Danimarkës, çka ngjalli indinjatë në vend. Incidenti i nxiti autoritetet daneze të vendosin rishikimin e programit të trajnimit të gardianëve nga Kosova, ndërsa ka ngritur pikëpyetje edhe për mbikëqyrjen dhe përgjegjësitë në burgun e Gjilanit, ku pritet të transferohen deri në 300 të burgosur nga Danimarka. Sipas mediave atje, dy gardianët, të moshës 24 dhe 29 vjeç, dyshohet se kanë goditur me grushte një të burgosur brenda qelisë, më 5 tetor, në burgun Vestre të kryeqytetit. Të dy i kanë mohuar akuzat. Ata janë arrestuar, por gjykatat kanë refuzuar kërkesën për paraburgim. Hetimet për rastin vazhdojnë dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar. Pas incidentit, Shërbimi Korrektues i Danimarkës ka paralajmëruar rishikimin e trajnimit të gardianëve kosovarë, për të garantuar përgatitjen dhe respektimin e standardeve profesionale. Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësime për mbikëqyrjen e pavarur, trajtimin e të burgosurve dhe ndarjen e përgjegjësive mes dy shteteve. Transferimi i të burgosurve të parë në Gjilan pritet të ndodhë në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028, për shkak të vonesave në rindërtimin e burgut.