Arrestohet shqiptari që shkaktoi shpëthimin e ndërtesës në Athinë
Një shtetas shqiptar është arrestuar nga policia greke për shkakun e shpëthimit të një ndërtese në Athinë, ku humbën jetën gjashtë persona, mes tyre tre shqiptarë.

Një shtetas shqiptar, i identifikuar si Kolian Ilia, është arrestuar nga policia greke në kuadër të hetimit për shpërthimin tragjik të 25 shtatorit në lagjen Plaka të Athinës, ku humbën jetën gjashtë persona, mes tyre edhe tre shqiptarë.
Në pranga kanë përfunduar edhe dy shtetas grekë, përkatësisht 37 dhe 55 vjeç, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në ndërhyrjen që mund të ketë shkaktuar tragjedinë.
Sipas hetimit paraprak, tre të arrestuarit dyshohet se kanë ndërhyrë në rrjetin e furnizimit me gaz natyror të një godine, me qëllim vjedhjen e tubacioneve prej bakri. Gjatë kësaj ndërhyrjeje, ata dyshohet se kanë demtuar sistemin e gazit, duke shkaktuar një rrjedhje që ka vazhduar për disa orë.
Grumbullimi i gazit brenda ndërtesës dyshohet se ka krijuar kushtet për shpërthimin e fuqishëm, i cili shkatërroi godinën dhe shkaktoi humbjen e gjashtë jetëve.
Ngjarja e rendë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 25 shtatorit, në rrugën Lysikratous, në lagjen historike Plaka të kryeqytetit grek.
Pas një hetimi për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës, autoritetet greke arritën të lokalizojnë dhe arrestojnë tre të dyshuarit.
Ata pritet të dalin para autoriteteve gjyqësore, ku do të shqyrtohet edhe masa e sigurisë ndaj tyre.
Të arrestuarit përballen me akuza të renda, përfshirë shkaktimin e shpërthimit me pasoja fatale, zjarrvënien dhe vrasjen me dashje eventuale.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësinë individuale të secilit prej të dyshuarve në tragjedinë që tronditi kryeqytetin grek dhe u mori jetën gjashtë personave, mes tyre tre shtetasve shqiptarë.