Këshilli Kombëtar për Fëmijët diskuton për një plan përbashkët për mbrojtjen e tyre
Ministritë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arsimit dhe Drejtësisë kanë diskutuar në një takim të Këshillit Kombëtar për Fëmijët për një plan përbashkët për mbrojtjen e fëmijëve. Ata kanë theksuar rëndësinë e mekanizmave ligjore për mbrojtjen e fëmijëve dhe sigurimin e një mjedis të sigurt për ta.

Pasditen e kësaj të premteje, po zhvillohet takimi i Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve. Fokusi i diskutimeve lidhet me ngjarjet e javës së fundit me protesta në vend, që përfshijnë edhe pjesëmarrjen e të miturve.
Të pranishëm në takim janë disa nga ministrat e kabinetit, ndërsa mbledhja drejtohet nga kryeministri Edi Rama. Në takim po diskutohet nevoja e një plani përbashkët veprimi me Shoqërinë Civile dhe institucionet partnere ndërkombëtare.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, theksoi rolin e mekanizmave ligjore për mbrojtjen e fëmijëve. "Le ta shohim këtë takim jo vetëm si një reagim ndaj situatës së ditëve të fundit, por si një mundësi për të identifikuar boshllëqet, për të përmirësuar mekanizmat dhe për të forcuar përgjegjësinë e përbashkët," tha Spahiu.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, tha se qeveria duhet të sigurojë një mjedis të sigurt për fëmijët. "Janë familje konkrete, me ndjeshmëri konkrete, me nevojat dhe botën e tyre. Përgjegjësia jonë është që të sigurohemi që çdo fëmijë të ketë një mjedis ku të ndihet i sigurt, i dëgjuar dhe i mbështetur," deklaroi Kumbaro.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se Kodi i të Miturve duhet të jetë me gjithëpërfshirës, me fokus të interesit të lartë i fëmijëve. "Kodi i të miturve të ketë edhe përgjegjësinë ligjore e individuale, por edhe të mos humbasë besimin se mbron të drejtat e fëmijëve. Ky të jetë mendimi i përbashkët i të gjithëve," tha Gogu.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, tha se sot, më shumë se kurrë, duhet forcuar mesazhi për shmangien nga dhuna të fëmijëve. "Sot kemi edhe më shumë nevojë të përsërisim me forca mesazhin që fëmijët nuk e kanë vendin mes dhunës dhe kaosit. Mbrojtja dhe siguria e fëmijëve janë përgjegjësi e pamohueshme e të gjithëve. Të udhëhiqemi nga interesat e larta të fëmijëve," u shpreh Demo.