PDK kërkon shkarkimin e ministrave Gërvalla dhe Sveçla për dështimet në rastin e vrasjes së Arlinda Zekaj
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas dështimeve të tyre në rastin e vrasjes së Arlinda Zekaj.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas dështimeve të tyre në rastin e vrasjes së Arlinda Zekaj. Kabashi-Ramaj ka kritikuar ministren Gërvalla për mungesë të përgjegjësisë politike dhe ka përmendur gjetjet e Inspektoratit Policor të Kosovës, të cilat i cilësoi si tronditëse.
Sipas saj, në rastin e vrasjes së Arlinda Zekaj nuk është ekzekutuar një urdhër mbrojtjeje, një tjetër është ekzekutuar me vonesë, ndërsa nuk është marrë parasysh kërkesa për rivlerësimin e rrezikut. Ajo theksoi se këto dështime kanë ndodhur në mekanizmat që kanë për detyrë parandalimin e rasteve të tilla dhe ka kërkuar përgjigje se kush kishte njohuri për rrezikun dhe pse nuk ndërhyri.
Kabashi-Ramaj ka përmendur edhe dorëheqjen e drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, por sipas saj, kjo nuk duhet të shërbejë për shmangien e përgjegjësisë politike të ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla. Ajo ka kërkuar që në rast se dy ministrat nuk japin dorëheqje, kryeministri Albin Kurti duhet të kërkojë largimin e tyre nga detyra ose t’i shkarkojë.