Sota dëmtohet rëndë në sytë e trajnerit Maran, presidenti Fatos Troplini bën gjestin e rrallë
Mbrojtësi i Egnatias, Eljon Sota, pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen kundër Teutës dhe është në pritje të një ndërhyrjeje kirurgjikale jashtë vendit.

Në momentin më të mirë të karrierës së tij si profesionist, mbrojtësi i Egnatias, Eljon Sota, pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen kundër Teutës. Sota u detyrua të linte fushën me barelë në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes. Sipas informacioneve të “Kubit Sportiv”, Sota ka pësuar dëmtime në tri pjesë të këmbës: thyerje të kaviljes, këputje të ligamentit dhe frakturë të fibulës.
Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, ishte në tribunë për ta ndjekur Sotën dhe pas dëmtimit, mbrojtësi i Egnatias ka mbyllur sezonin. Egnatia ka kryer rezonancën magnetike dhe tashmë është në pritje të përgjigjes së ekzaminimit. Burime pranë klubit bëjnë me dije se bëhet fjalë për një ndërhyrje kirurgjikale të rrallë, e cila pritet të kryhet jashtë vendit.
Për t’u vlerësuar është edhe gjesti i presidentit të Teutës, Fatos Troplini, i cili i kërkoi zëdhënësit të Egnatias, Xhevdet Zekaj, që ta shoqëronte për të takuar Eljon Sotën dhe për t’i uruar shërim nga afër. “Dua t’i uroj shërim nga afër”, ishte fjalia e Troplinit. Një gjest i thjeshtë, por me kuptim të madh.