Opozita duhet të dalë me një ide të re për negociatat me Bashkimin Evropian
Opozita duhet të dalë me një ide të re për negociatat me Bashkimin Evropian, përfshirë aleancat politike të Shqipërisë me investimet, ngritjen e industrisë dhe të turizmit.
Përballja e opozitës në Opinionin e Blendi Fevziut pas deklarata të fortë të Sali Berishës ishte një spektakël në vetë. Ishte një spektakël më vete, pasi çështja këtu është tek përlasja e partive për të ashtuquajturën elektorat beznik kundër Edi Rame. Një fjalor polarizues për të treguar se kush është më “katolik” se doktori.
Kjo nuk është aspak politike, por vetëm një mazokizëm egocentrist për të marrë vota apo simpati të skifterëve. Një politike normale opozitare nuk zihet se si do bashkohen gjithë aktorët e faktorët, sikur të jenë zarzavate në tezgat e tregut të fruta-perimeve.
Politika ka një logjikë të ndryshme nga një sofrito ku qepet, karrotat, selinoja bashkohet me mishin apo peshkun për të sjellë një gjellë që të ketë brenda edhe shijen e gones, edhe të Lapajt, si dhe atë të fortë të doktorit, që mund ta mbysësh pak me dy gjethe dafine e me pak sherebelle.
Politika nuk është ragu, por është një pjatë shumë e thjeshtë, përkatësisht një spageti me domate të freskëta apo me fruta deti në verë. Politika është substancë jo shumë e të gjithë të çmendurve që e kanë mbushur listën e deputetëve me teze dhe me daja.
Opozita që kërkon një Bashkim të gjithë fruta-perimeve, duhet të dalë me një ide për negociatat me Bashkimin Evropian, për aleancat politike të Shqipërisë në lidhje me investimet, të dalë me një ide se si ata duan ngritjen e industrisë së turizmit, kur sulmuan një nga projektet më të fuqishme të saj. Pa këto qëndrim, që është thelbi, problem mbetet aty. Nuk është asgjë sikur ta kundërshtojnë projektin e Zvërnecit e Sazanit, apo të kërkojnë një zvogëlim të investimeve në territor. Por duhet ta artikulojnë, ta argumentojnë. Të tregojnë se si e duan ata ligjin e zonave të mbrojtura apo pse duan të bllokohet Paketa e Maleve.
Ky artikulim duhet të elaborohet politikisht e të kthehet në një debat politik, ku njerëzit të dinë dy pozicionet e të votojnë ata që duan.