Kryeministri Rama gënjeu studentët për Paktin e Universitetit
Kryeministri Edi Rama ka gënjuar studentët për Paktin e Universitetit, duke promituar atyre mbështetje të drejtpërdrejtë nga shteti për 60% të tyre, por në realitet, vetëm disa prej tyre kanë marrë këto bursa dhe ndihma.

Gjatë ditës së sotme, studentët dhe qytetarët të zhgënjyer nga arroganca dhe premtimet e pambajtura të kryeministrit Rama mbushën rrugët e Tiranës dhe qendrën e saj, duke u përballur çdo ditë me agresion policor të pazakonshëm.
Gjatë ditës, thirrjeve për liri dhe një jetë më të mirë, të bërtiturave, gurëve, molotovëve, kapsollave, fishekzjarrëve, policia iu përgjigj dhëmb për dhëmb me ujë me presion e kimikate, gaz lotsjellës, spraj me piper, plumba gome e metalikë, përplasje fizike e thyerje këmbësh, ndërsa natën mbizotëronte terrori, presioni dhe arrestimet e dhunshme.
Ditën tjetër, pa kënduar gjeli, si të mos kishte ndodhur asgjë, z. Rama niste aktrimin para shkallëve të tij, duke kërkuar dialog.
Diçka që nuk u pranua asnjehere nga studentët dhe kjo e detyroi kryeministrin të dilte në konferencë e t’ju kujtonte atyre mbështetjen që u vjen nga Pakti për Universitetin i bërë në vitin 2018.
“60% ose 6/10 studentë, sot, falë atij pakti, përfitojnë të paktë një formë mbështetjeje të drejtpërdrejtë nga shteti. Në Tiranë, tarifat që paguajnë studentët për konviktet mbulojnë më pak se 1/3 e kostos vjetore”, tha Rama. Por cilat kanë qenë premtimet e qeverisë asokohe, pasi kanë kaluar 8 vite dhe duhet të bëjmë një retrospektivë?
“S’pari kemi studentë me familje me ndihmë ekonomike, të verbër, paraplegjikë, të tetraplegjikë, që marrin financimin e plotë 100% të tarifave dhe po ashtu studentë me familje me ndihmë ekonomike, të verbër, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, që do të përfitojnë një bursë studimi prej 10 mijë lekësh të reja.
S’dytë, studentët me nota mesatare mbi 9, në çdo program studimi do të përfitojnë financimin nga qeveria 100% të tarifave të tyre të regjistrimit dhe po ashtu në çdo program studimi, ata do të përfitojnë një bursë prej 10 mijë lekësh të reja.
S’treti, do të japim një mundësi të barabartë të gjithë studentëve duke paguar 50% të tarifave të studimit drejtpërdrejt nga buxheti”, pati deklaruar Rama në 2018.
“Disa prej studentëve i kanë marrë këto bursa dhe këto ndihma, por ende është një proces burokratik shumë i ngatërruar dhe ende është pjesërisht e plotësuar. Nuk mund të themi që të gjithë studentët e kanë marrë premtimin e qeverisë”, shtoi studenti Angjelo Tila.
“Ana tjetër e kërkesës lidhet me konviktet. Me aktin normativ të buxhetit janë 3 milionë dollarë shtesë për investimet në infrastrukturën e konvikteve dhe çka është pak, por e sigurt, brenda këtij mandati të gjithë konviktet e Republikës së Shqipërisë do të jenë të rindërtuar”, pati premtuar kryeministri.
“Unë nuk mund të flas për të gjithë Shqipërinë, por nëse flas për Tiranën, pjesa më e madhe e konvikteve janë në gjendje të rrënuar. Ka pjesërisht mungesë të mençave, kushtet janë skandaloze, ngrohja është një element i rëndësishëm sidomos gjatë dimrit, nuk mund të funksionosh normalisht nëse nuk ke një ngrohje stabile.
Nëse flasim për ujë dhe drita, atëherë e dinë të gjithë që janë me orar.
Gjendjet e kuzhinave, të dusheve, janë skandaloze. Përtej faktit që ti duhet të studioh fort, duhet të mësohesh edhe me këtë stil jetese. Faktikisht, nuk është as stil jetese, por stil mbijetese”, deklaroi studenti Tila. “Mjafton të shikoni gjendjen ku është situata. Ju e shihni që konviktet po merren nga punëtorët që po vijnë nga jashtë, duke i lënë studentët shqiptarë të përballen me çmime të shumta të Tiranës”, shtoi studiuesi Muka.