Trump ndërpret fjalimin për shkak të syrit dhe pretendon se do thonë se është shumë i sëmurë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ndërpreu për pak çaste fjalimin e tij elektoral në Daytona Beach të Floridës, pasi pati vështirësi të mbante syrin hapur dhe u detyrua ta fshinte me një pecetë të lagur me ujë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ndërpreu për pak çaste fjalimin e tij elektoral në Daytona Beach të Floridës, pasi pati vështirësi të mbante syrin hapur dhe u detyrua ta fshinte me një pecetë të lagur me ujë.
Momenti ndodhi rreth një orë pas nisjes së aktivitetit, ku Trump po mbante një tubim në kuadër të fushatës për zgjedhjet e mesmandatit, që do të zhvillohen të martën në SHBA.
“E keni problem? Kam diçka në sy, shikoni”, u tha ai të pranishmëve, përpara se të përdorte pecetën për të pastruar syrin.
“Ah, shumë më mirë tani”, shtoi presidenti, i cili më pas hodhi pjesën tjetër të ujit drejt publikut. Ai vijoi me një koment për pikat e syve, duke thënë se do të dëshironte t’i kishte me vete.
Trump shfrytëzoi momentin edhe për t’iu përgjigjur kritikëve që kanë ngritur pikëpyetje mbi gjendjen e tij shëndetësore, pas anulimit fillestar të dy tubimeve të planifikuara në Kansas dhe Iowa.
“Nëse do t’i përdorja, ata do të thoshin se jam shumë i sëmurë dhe se diçka nuk shkon me mua”, deklaroi ai.
Trump kishte anuluar fillimisht dy aktivitetet elektorale, duke nxitur spekulime mbi arsyet e këtij vendimi. Megjithatë, të dyja tubimet u rikthyen në kalendar të premten.
Një ditë më parë, presidenti pati edhe një përplasje me një gazetar të Reuters, i cili e pyeti nëse kishte hequr dorë nga udhëtimi drejt Kansasit për shkak të lodhjes nga udhëtimet. Trump reagoi ashpër, duke e fyer gazetarin dhe duke komentuar edhe pamjen e tij fizike.
Gjatë tubimit në Florida pati gjithashtu ndërprerje nga protestues, të paktën tre prej të cilëve u larguan nga aktiviteti. Trump pretendoi se ata paguheshin nga miliarderi dhe donatori demokrat George Soros, pa paraqitur prova për këtë pretendim.
Në fjalimin e tij, presidenti foli edhe për çështje të tjera politike, duke sulmuar demokratët dhe duke përsëritur premtimin për t’u dhënë nga 5 mijë dollarë çdo qytetari të rritur amerikan, nëse republikanët fitojnë kontrollin e të dy dhomave të Kongresit.
Ai komentoi gjithashtu luftën me Iranin, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë neutralizuar kapacitetet bërthamore të Teheranit, si dhe përmendi arrestimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro.