Aktualitet

3.3 miliardë lekë për një incenerator që nuk është ndërtuar në Tiranë

3 min leximPublikuar më

Burimi: Faktoje ·

Kontrata koncesionare për ndërtimin e inceneratorit në Tiranë vazhdon të ketë një vend në buxhetin e shtetit, me pagesa që do të arrijnë në 3.3 miliardë lekë për periudhën 2027-2029.

Foto nga burimi: 3.3 miliardë lekë nga buxheti i shqiptarëve për inceneratorin fantazmë të Tiranës

Ndërsa inceneratori i Tiranës nuk është ndërtuar, kontrata koncesionare që parashikonte ngritjen e tij vazhdon të ketë një vend në buxhetin e shtetit. Sipas dokumenteve të projektbuxhetit 2027, qeveria ka parashikuar 1 miliard lekë për kontratën koncesionare që përfshin ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese në Tiranë. Por, të dhënat e publikuara në relacionin e projektbuxhetit tregojnë se angazhimi financiar nuk përfundon me vitin 2027. Për vitin 2028 janë parashikuar 1.1 miliardë lekë dhe për vitin 2029 edhe 1.2 miliardë lekë. Kështu, për periudhën 2027-2029, fondi i planifikuar për këtë kontratë arrin në 3.3 miliardë lekë.

Në të njëjtin koncesion, për vitin 2026, buxheti i rishikuar parashikon 1.33 miliardë lekë. Kontrata koncesionare me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese, Tiranë” u nënshkrua më 31 gusht 2017 mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. SPV”. Vlera e investimit të parashikuar në kontratë ishte 128.2 milionë euro pa TVSH, ndërsa afati i saj shtrihet deri në vitin 2047.

Edhe pse projekti parashikonte ndërtimin e një impianti për djegjen e mbetjeve dhe prodhimin e energjisë elektrike, në Sharrë vijon aktiviteti i depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve, pa impiantin e incenerimit. Por, pavarësisht mosrealizimit të impiantit të incenerimit, pagesat për kontratën kanë vijuar ndër vite.

Në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Ministria e Financave ka vënë në dispozicion edhe të dhënat analitike për pagesat buxhetore të realizuara për kontratën koncesionare të Tiranës, (duke nisur nga viti 2018), bazuar në raportimin zyrtar të Bashkisë Tiranë, si autoritet kontraktor. Sipas Ministrisë së Financave, për kontratën që përfshin ndërtimin e landfillit, inceneratorit, rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese dhe prodhimin e energjisë elektrike, nga viti 2018 deri në vitin 2024 janë paguar rreth 7.51 miliardë lekë, ndërsa për 11 muajt e parë të vitit 2025 pagesat arritën në 748.4 milionë lekë.

Në total, pagesat buxhetore të evidentuara për këtë kontratë gjatë periudhës 2018–nëntor 2025, të përpunuara nga Faktoje, arrijnë në rreth 8.2 miliardë lekë.

Problemet me kontratën e inceneratorit të Tiranës nuk lidhen vetëm me mosndërtimin e impiantit. Ajo është bërë objekt i një prej hetimeve të rëndësishme të Prokurorisë së Posaçme. Në gusht 2023, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” dhe pasuritë e saj. Sipas njoftimit të SPAK, hetimet për kontratën e vitit 2017 evidentuan dyshime për mashtrim me pasoja të rënda, shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Prokuroria bëri me dije se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri dyshohej se ishin pronarët de facto të shoqërisë koncesionare dhe se kishin përfituar para përmes faturave tatimore të falsifikuara.

Përmbajtje e përgatitur me ndihmën e automatizimit dhe me citim të burimit. Citimi nuk përbën verifikim të pavarur.

PARASHIKIMI I MOTIT

Moti në qytetin tënd

Po ngarkohet parashikimi…

Parashikimi nga tani: MET Norway · CC BY 4.0

HOROSKOPI I DITËS

Një çast për veten

Marrëdhëniet

Puna dhe planet

· Lexim për argëtim, i përzgjedhur automatikisht çdo ditë.