Sulmi kibernetik në Bankën e Gjakut
Sulmi kibernetik ka vënë në shënjestër instalimet frigoriferike të Bankës së Gjakut në Francë, duke rrezikuar ruajtjen e mostrave të gjakut dhe produkteve të destinuara për transfuzione.

Sulmi kibernetik ka vënë në shënjestër instalimet frigoriferike të Bankës së Gjakut në Francë, duke rrezikuar ruajtjen e mostrave të gjakut dhe produkteve të destinuara për transfuzione. Hakerat kanë ndërhyrë në sistemet e kontrollit të temperaturës, duke riprogramuar pajisjet frigoriferike që normalisht funksionojnë në temperaturën -30 gradë Celsius, për të arritur deri në 110 gradë Celsius.
Sulmi ndodhi gjatë natës mes së dielës dhe të hënës, më 1 dhe 2 nëntor, dhe kishte në shënjestër kompaninë Coolworld, e cila mirëmban kontejnerët frigoriferikë të përdorur nga Instituti Francez i Gjakut (EFS), përfshirë edhe instalimet në rajonin Bourgogne-Franche-Comté. Alarmi u dha pasi një teknik që ishte në shërbim gjatë natës konstatoi rritje të pazakontë të temperaturës në ambientet frigoriferike. Ndërhyrja në kohë bëri të mundur identifikimin e problemit dhe shmangien e pasojave në funksionimin e shërbimit.
Ministria Franceze e Shëndetësisë ka deklaruar se incidenti nuk ka sjellë pasoja operative, pasi anomalitë u zbuluan në kohë. Pavarësisht shifrës alarmante prej 110 gradësh Celsius, ende nuk është konfirmuar se kjo temperaturë është arritur realisht brenda frigoriferëve apo në produktet e gjakut. Informacionet e publikuara flasin për ndryshimin e parametrave të komanduar në sistemin elektronik. Temperatura e vendosur në sistem dhe ajo e matur realisht në ambientet e ruajtjes janë dy gjëra të ndryshme.
Ky incident vjen pas një serie sulmesh kibernetike ndaj sistemeve frigoriferike në supermarkete në Francë dhe vende të tjera europiane, ku hakerat kanë ndryshuar parametrat e temperaturës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike dhe humbje të produkteve ushqimore. Kësaj here, objektivi ka qenë një sektor shumë më i ndjeshëm: ruajtja e produkteve të gjakut që përdoren në sistemin shëndetësor. Deri më tani, nuk është bërë e ditur identiteti i autorëve dhe as nuk ka prova që sulmi të jetë kryer nga të njëjtët persona përgjegjës për ndërhyrjet në frigoriferët e supermarketeve.