Shkencëtarët krijojnë një Tokë virtuale për të kërkuar jetën jashtë Tokës
Shkencëtarët kanë zhvilluar një model të ri të simulimit të Tokës, që mund të ndihmojë në zbulimin e mundshëm të jetës jashtë Tokës. Modeli simulon një Tokë pa jete, duke analizuar ndërveprimet kimike midis bërthamës, mantelit, kores, sipërfaqes dhe atmosferës.

Shkencëtarët kanë zhvilluar një model të ri të simulimit të Tokës, që mund të ndihmojë në zbulimin e mundshëm të jetës jashtë Tokës. Bëhet fjalë për një Tokë virtuale, e modeluar pa praninë e organizmave të gjallë, që u lejon studiuesve të kuptojnë se si mund të evoluojë atmosfera e një planeti vetëm përmes proceseve natyrore.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore “The Planetary Science Journal”, studiuesit nga Universiteti i Uashingtonit kanë simuluar evolucionin gjeokimik të Tokës përgjatë një periudhe prej pesë miliardë vitesh. Modeli përfshin periudhën nga formimi i planetit tonë, rreth 4.5 miliardë vite më parë, deri afërsisht 500 milionë vite në të ardhmen.
Deri më tani, astronomët kanë identifikuar më shumë se 6 mijë planetë jashtë Sistemit Diellor dhe po studiojnë atmosferat e tyre për të gjetur përbërës kimikë që mund të tregojnë praninë e jetës. Sfida kryesore për shkencëtarët është të dallojnë nëse këto përbërje janë rezultat i proceseve natyrore apo i aktivitetit biologjik.
Pikërisht këtu hyn në lojë modeli i ri, i cili mund të përshtatet për studimin e planetëve të tjerë shkëmborë. Nëse simulimi nuk arrin të shpjegojë përbërjen e atmosferës së një planeti përmes proceseve jo biologjike, ai mund të kthehet në një objektiv më interesant për kërkime të mëtejshme.
Studiuesit shpresojnë që ky model të ndihmojë edhe në projektimin e teleskopëve të gjeneratës së ardhshme, përfshirë Observatorin e propozuar të Botëve të Banueshme (Habitable Worlds Observatory). Ky teleskop synon të studiojë planetët jashtë Sistemit Diellor dhe të kërkojë shenja të mundshme të jetës në atmosferat e tyre.
Shkencëtarët theksojnë se zbulimi i një planeti të banueshëm nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai është i banuar. Për këtë arsye, Toka virtuale mund të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për të dalluar kushtet që lejojnë jetën nga ato që tregojnë se jeta mund të jetë realisht e pranishme.