Rafael Nadal pritet të bashkohet drejtuesve të Real Madridit
Rafael Nadal, legjenda e tenisit spanjoll, pritet të bashkohet drejtuesve të Real Madridit. Emërimi i tij si anëtar i Bordit Drejtues do të nënshtrohet votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Anëtarëve.

Legjenda e tenisit spanjoll, Rafael Nadal, pritet t’i bashkohet drejtuesve të klubit të Real Madridit. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi madrilen përmes një komunikate zyrtare, ku bëhet e ditur se emërimi i tenistit si anëtar i Bordit Drejtues do t’i nënshtrohet votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Anëtarëve, e cila do të mbahet më 21 nëntor.
Nadal, i cili gjatë gjithë karrierës së tij është shfaqur si një tifoz i njohur i Real Madridit, aktualisht mban titullin e anëtarit të nderit të klubit. Në të kaluarën, tenisti spanjoll ka qenë disa herë pjesë e ceremonive të klubit, duke kryer edhe goditjen simbolike të topit përpara ndeshjeve.
Në komunikatën zyrtare, Real Madridi bën të ditur se vendimi për emërimin e Nadalit është marrë në mbledhjen e Bordit Drejtues të zhvilluar këtë të mërkurë, më 4 nëntor, ndërsa ratifikimi përfundimtar do të kërkohet nga Asambleja e Përgjithshme.
“Bordi Drejtues i Real Madrid CF, i mbledhur sot, të mërkurën, më 4 nëntor, ka vendosur t’i paraqesë Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve ratifikimin e emërimit të Rafael Nadal Parera, anëtar me numër 67.778 i klubit tonë, si anëtar të ri të Bordit Drejtues”, thuhet në njoftim.
Klubi madrilen e cilëson Nadal një nga legjendat më të mëdha të historisë së sportit dhe një prej sportistëve spanjollë më të vlerësuar në mbarë botën. Me 92 tituj individualë, përfshirë 22 trofe Grand Slam, dy medalje të arta olimpike, pesë Kupa Davis me Spanjën dhe vendin e parë në renditjen botërore, Nadal ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në tenis.
Në komunikatë, Real Madridi thekson se vlerat që tenisti ka përfaqësuar gjatë karrierës së tij, si përkushtimi, modestia, respekti për kundërshtarët dhe shpirti i garës, përputhen me identitetin e klubit.
“Për Real Madridin dhe të gjithë tifozët e tij, është një krenari e jashtëzakonshme që një figurë e përmasave të tij sportive dhe njerëzore, një simbol i sportit spanjoll dhe botëror, të bëhet pjesë e Bordit Drejtues dhe të kontribuojë, përmes kësaj përgjegjësie, në të tashmen dhe të ardhmen e klubit”, përfundon komunikata.
Me këtë emërim, Nadal pritet të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë në drejtimin e një prej klubeve më të mëdha të futbollit botëror.