Gjykata e Posaçme shqyrton kërkesën e Adriatik Llallës për parashkrimin e dënimit
Gjykata e Posaçme shqyrton kërkesën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla për parashkrimin e dënimit me dy vite burgim, të dhënë ndaj tij në vitin 2021 për fshehje pasurie.

Gjykata e Posaçme shqyrton sot kërkesën e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për parashkrimin e dënimit me dy vite burgim, të dhënë ndaj tij në vitin 2021 për fshehje pasurie. Ky është një argument që është përdorur edhe nga persona të tjerë të dënuar, të cilët, duke iu shmangur drejtësisë, kanë qëndruar në kërkim deri në plotësimin e afateve të parashkrimit. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se seanca është njoftuar të mbahet në orën 08:45 dhe do të ketë si relatore gjyqtaren e Posaçme, Etleva Deda. Në procesin e sotëm, Llalla nuk pritet të jetë i pranishëm, pasi vijon të jetë person në kërkim, deri në një vendimmarrje tjetër të drejtësisë. Në seancë pritet të marrë pjesë vetëm avokati i tij. Gjatë hetimeve ndaj tij, në kulmin e procesit, Llalla u largua drejt Italisë. Megjithatë, çështja penale vijoi të shqyrtohej në Shqipëri. Ai u arrestua në Itali dhe u la nën masa mbikëqyrjeje, por nuk iu dorëzua autoriteteve shqiptare.