Shtyhet seanca për Adriatik Llallën, ja kur do të shqyrtohet kërkesa e ish-kryeprokurorit për parashkrimin e dënimit
Shtyhet seanca për kërkesën e ish-prokurorit Adriatik Llallë për parashkrimin e dënimit me dy vite burgim për fshehje pasurie.

Shtyhet seanca në Gjykatën e Posaçme për kërkesën e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili kërkon parashkrimin e dënimit me dy vite burgim për fshehje pasurie. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 16 nëntor, në orën 08:30. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se gjatë seancës së sotme, prokurorja e Posaçme e SPAK, Enkelejda Millonai, pasi dëgjoi parashtrimet, kërkoi kohë për t’u njohur me materialet e referuara në këtë proces. Për këtë arsye, gjykata vendosi të shtyjë shqyrtimin e kërkesës. Llalla kërkon që dënimi i dhënë ndaj tij në vitin 2021, me vendim të formës së prerë, të konsiderohet i parashkruar. Argumenti i tij lidhet me faktin se kanë kaluar afro pesë vite nga vendimi, pa e vuajtur dënimin me dy vite burgim. Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa në proces u përfaqësua nga avokati i tij. Llalla vijon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare. Gjatë hetimeve ndaj tij, Llalla u largua drejt Italisë, ku u arrestua dhe më pas u la nën masa mbikëqyrjeje, pa iu dorëzuar autoriteteve shqiptare. Ndërkohë, procesi penal ndaj tij vijoi në Shqipëri.