Studimi: Ekspozimi ndaj vajrave industrialë në vendin e punës lidhet me rrezik më të lartë të sklerozës multiple
Një studim i publikuar në revistën shkencore Neurology ka zbuluar se ekspozimi i vazhdueshëm në vendin e punës ndaj lubrifikantëve me bazë nafte, si vaji i motorit, vaji hidraulik dhe lëngjet që përdoren për ftohjen e metaleve gjatë përpunimit mekanik, mund të lidhet me një rrezik më të lartë të zhvillimit të sklerozës multiple.

Studiuesit e Institutit Karolinska në Suedi kanë realizuar një studim në të cilin pjesëmarrësit plotësuan pyetësorë mbi historikun e tyre profesional dhe ekspozimin e mundshëm ndaj lubrifikantëve në vendin e punës, përpara shfaqjes së simptomave të para të sëmundjes. Pjesëmarrësit 2,872 persona me sklerozë multiple dhe 6,122 persona që nuk vuanin nga kjo sëmundje. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 35 vjeç dhe të gjithë jetonin në Suedi.
Analiza tregoi se personat e ekspozuar ndaj këtyre substancave kishin 38% më shumë gjasa për të zhvilluar sklerozë multiple, krahasuar me ata që nuk kishin pasur një ekspozim të tillë. Lidhja rezultoi edhe më e fortë te personat që pinin duhan dhe kishin një kombinim të caktuar variantesh gjenetike që lidhen me rrezikun e sëmundjes. Në këtë grup, gjasat për të zhvilluar sklerozë multiple rezultuan më shumë se 33 herë më të larta krahasuar me personat që nuk kishin asnjë nga këta faktorë.
Studiuesit theksojnë se ky vlerësim duhet interpretuar me kujdes, pasi grupi përkatës përfshinte vetëm 16 persona me sklerozë multiple dhe dy persona pa sëmundjen. Hulumtimi tregoi gjithashtu se rreziku i lidhur me ekspozimin rritej në varësi të kohëzgjatjes dhe intensitetit të tij. Për çdo vit shtesë ekspozimi, gjasat për të zhvilluar sëmundjen rriteshin me 2%, ndërsa një rritje prej 2% u vu re edhe për çdo orë shtesë ekspozimi në javë.
Për të vlerësuar nëse lidhja ishte e pranishme edhe shumë kohë përpara shfaqjes së simptomave, studiuesit përsëritën analizën duke përfshirë vetëm personat që kishin qenë të ekspozuar të paktën shtatë vjet përpara simptomave të para. Edhe në këtë rast, lidhja mbeti e dukshme: ekspozimi ndaj lubrifikantëve me bazë nafte u shoqërua me 55% më shumë gjasa për të zhvilluar sklerozë multiple.
Studiuesit nënvizojnë se rezultatet nuk provojnë se lubrifikantët me bazë nafte shkaktojnë drejtpërdrejt sklerozën multiple, por evidentojnë një lidhje mes ekspozimit profesional dhe rrezikut të sëmundjes. Ndër kufizimet e studimit përmendet fakti se pjesëmarrësit raportuan vetë ekspozimin e tyre ndaj këtyre substancave, çka mund të ketë ndikuar në saktësinë e të dhënave. Gjithashtu, rezultatet mund të jenë ndikuar nga ekspozimi ndaj substancave të tjera në ambientin e punës.
Studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme dhe studime në popullata të tjera për të konfirmuar këta gjetje.